Begaj në Prishtinë: Shqipëria do punojë për të zbardhur të gjithë gjenocidin serb

KOSOVA


Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj i është adresuar Kuvendit të Kosovës në një fjalim përmes të cilit theksoi se ky është një “përvjetor i shenjtë për shqiptarët”. Ndërsa tha se shqiptarët përulen me nderim para figurave më të larta të kombit që bënë të mundur që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur.

Përulemi me nderim para martirëve dhe figurave të shquara. Sot nderojmë Ibrahim Rugovën, arkitektin e Pavarësisë, simbolin e rezistencës paqësore. Sot nderojmë Adem Demaçin, veprimtarin qëndrestar të çështjes kombëtare. Sot përulemi përpara Jasharëve, familjes simbol të martirizimit për Kosovën e pavarur. Luftëtarët e UÇK-së i falën jetën Kosovës së lirë e të pavarur. Kosova nuk ishte vetëm. Qindra vëllezër nga Shqipëria, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut e Diaspora iu bashkuan luftës. Shqipëria hapi zemrën dhe dyert e shtëpive për vëllezërit e motrat e dëbuar nga spastrimi etnik e gjenocidi i Millosheviçit”, tha Begaj.

Kreu i shtetit shqiptar tha se Kosova nuk ishte vetëm por kishte edhe aletatët e saj në krah që bënë të mundur t’i japin fund gjenocidit të Millosheviçit dhe ndalimit të spastrimit etnik.

“Kosova nuk ishte vetëm! SHBA-ja, Britania e Madhe, BE-ja dhe NATO, mbështetësit e fuqishëm të kauzës së saj.  Ndërhyrja e tyre ndaloi spastrimin etnik, gjenocidin, dhe i dha të drejtë popullit që kërkonte lirinë. Ndërkombëtarët ishin hartuesit dhe zbatuesit e projektit të shtetformimit të Kosovës. Kosovë-Shqipëri, dy shtete, një komb, një gjak, një gjuhë, një ëndërr dhe aspiratë e madhe. Shqiptarët kanë nevojë për të ruajtur dhe forcuar kohezionin kombëtar dhe socio-kulturor edhe sot.

Në sfidat e kohërave, epokave dhe padrejtësive, shqiptarët e kanë të pacenueshëm shqiptarizmin. Kemi nevojë më shumë se kurrë për manifest krenarie kombëtare. Serbia dhe aleatët e saj, një fushatë keqdashëse për të njollosur luftën për çlirimin e Kosovës. Nuk lejojmë të vendoset barazimi mes krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet e mbijetesë të shqiptarëve në Kosovë. Nuk lejojmë që krimi të shfaqet si virtyt, kur miqtë tanë ndërkombëtarë janë për bashkëjetesën shqiptaro-serbe. Kemi përgjegjësi për të ruajtur dhe forcuar paqen, sigurinë dhe zhvillimin. Aspiratat për integrimin Euroatlantik të faktorit shqiptar janë më të forta se kurrë. Do të punojmë fort për këtë objektiv”, nënvizoi më tej Begaj.

Presidenti shtoi më tej se “shteti shqiptar e ndjen detyrë dhe mision të mbështesë çdo përpjekje të institucioneve të Kosovës.  Shqipëria do të punojë për të shfrytëzuar të gjitha kapacitetet për të zgjeruar numrin e njohjeve

Shqipëria do të punojë për të zbuluar të gjithë të vërtetën, ende të panjohur, të krimeve dhe gjenocidit në Kosovë. Kosova nuk është vetëm. Kosova nuk do të jetë vetëm. Çdo betejë juaja, është beteja jonë. Çdo sukses juaji, është sukses i gjithë shqiptarisë”, përfundoi Begaj



Skip to toolbar