Rrugët në pjesën serbe që çojnë drejt dy pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Merdarë dhe Jarinje, janë bllokuar pjesërisht pasditen e së premtes nga një grup i vogël njerëzisht, në shenjë proteste ndaj vendimeve të autoriteteve kosovare në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Organizatorët kanë thënë se do t’i lejojnë të futen apo dalin vetëm udhëtarët me dokumente serbe, por jo edhe ata me dokumente kosovare.
Dy vetura, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës, në Merdarë.
Në pjesën kosovare të pikëkalimit kufitar në Jarinje, gazetarja e Radios Evropa e Lirë tha se situata është e qetë dhe se automjete kryesisht me targa serbe shihen duke kaluar kufirin në të dyja anët.
Rasha Rojeviq, kryetar i Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut Kosovë-Mitrovicë, një nga tetë shoqatat që organizojnë bllokadat, tha më herët për Radion Evropa e Lirë (REL) se kjo është “bllokadë selektive”, që nënkupton se ata do t’i lejojnë ta kalojnë kufirin nga ana serbe vetëm udhëtarët me dokumente serbe.
Siç është paralajmëruar, rrugët do të bllokohen edhe në dy pikat e tjera kufitare në Bërnjak – si dhe afër pikëkalimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në Kula.
Rojeviq tha në një intervistë për REL-in se bllokadat janë “reciprocitet i asaj që (kryeministri i Kosovës Albin Kurti )po ua bën serbëve” në Kosovë. Sipas gazetarit të REL-it në pjesën serbe të kufirit në Merdarë, veturat me targa serbe mund të kalojnë pa telashe, ndërsa ato me targa të Kosovës po ndalohen dhe kontrollohen për të parë nëse kanë dokumente serbe.
Por, kamionët janë duke u ndaluar pavarësisht se a kanë targa të Serbisë apo të Kosovës, sipas tij. Bllokimi i pikëkalimeve kufitare në anën serbe mes Serbisë dhe Kosovës u paralajmërua ditë më parë nga njerëz Serbi, si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës, pjesë e banuar me shumicë serbe.
Të mërkurën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.
Autoritetet e Kosovës e kanë zemëruar Serbinë me një sërë veprimesh që i kanë ndërmarrë në veri të vendit muajt e fundit, për cfarë janë kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Javën e kaluar, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.
Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre. Mbylljes së këtyre institucioneve paralele i parapriu ndalimi i dinarit serbë dhe mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri më herët këtë vit.
Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb. Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.
Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.
Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.
Vendimet e Qeverisë së Kurtit janë kritikuar ashpër si të “njëanshme dhe të pakoordinuara” nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se ato rrezikojnë rritjen e tensioneve.
Më 2022, serbët në veri i bllokuan rrugët drejt pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë pas arrestimi të një ish-polici serb të Policisë së Kosovës. Ato ishin hequr pas disa javësh./rel