Raportohet se Trumpi i ka kërkuar Putinit të mos e përshkallëzojë luftën në Ukrainë

BOTA


Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bisedoi në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin, për luftën në Ukrainë, raportoi Washington Post të dielën, duke cituar burime të afërta me Trumpin.

Trumpi bisedoi me Putinin më 7 nëntor, një ditë pasi kishte biseduar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sipas gazetës amerikane.

Washington Post citoi burimet të kenë thënë se Trumpi i kërkoi Putinit të mos e përshkallëzojë luftën në Ukrainë dhe shprehu interesim për bisedime shtesë për “zgjidhjen e luftës në Ukrainë shpejt”.

Putini fillimisht kishte reaguar me ftohtësi ndaj fitores së madhe të Trumpit, para se ta uronte joformalisht presidentin e zgjedhur më 7 nëntor.

Ai e lartësoi “guximin” e Trumpit për t’i mbijetuar një atentati në korrik dhe tha se është i “gatshëm” për të folur me të.

Burime e Washington Post thanë se Kievi ishte njoftuar për telefonatën e Putinit dhe nuk kishte kundërshtuar.

Zyrtarët amerikanë, rusë dhe ukrainas nuk e kanë komentuar lajmin.

Në fushatën përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, Trumpi pretendoi se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë, por nuk dha hollësi se si do ta arrinte këtë.

Putin tha në shtator se do të dëshironte që nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, ta mundte Trumpin në zgjedhje, por vëzhguesit argumentojnë se kjo ndoshta ishte pjesë e përpjekjeve të Kremlinit për të shmangur përshtypjen se Putin po shpresonte që Trumpi të fitonte.

Trump ka thënë në të kaluarën se Ukrainës mund t’i duhet të pajtohet të dorëzojë territor për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë.

Në të njëjtën linjë, aleati i Trumpit, Bryan Lanza, i tha BBC-së më 9 nëntor se fokusi i qeverisë së Trumpit do të jetë arritja e paqes në Ukrainë dhe jo t’ia mundësojë Kievit për të rifituar territorin e pushtuar nga Rusia.

Raporti i Washington Postit për bisedën telefonike mes tyre erdhi disa orë pasi Zelensky tha se Rusia i lëshoi 145 dronë mbi Ukrainë gjatë natës, duke e kryer sulmin më të madh ajror gjatë natës që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.

Edhe Ukraina i lëshoi dhjetëra dronë në drejtim të kryeqytetit rus, Moskë, duke detyruar mbylljen e përkohshme të tri aeroporteve më 10 nëntor.



Skip to toolbar