Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj pasi hodhi votën dha garanci se policia ka marrë të gjitha masat për të siguruar një proces zgjedhor të lirë dhe të qetë. Ai se sot më shumë se çdo gjë, rëndësi ka që procesi zgjedhor të kalojë pas incidente në mënyrë që Shqipëria të hapë negociatat me BE në tetor.
“Një ndër vendimet më të rëndësishme që merr një qytetar, pra për të vendosur për ata që do të qeverisin pushtetin vendor, pas një periudhe shumë të ndërlikuar përgatitjeje, sot mund të them me kënaqësi që zgjedhjet po zhvillohen në të gjithë vendin të lira, të qeta, nën një atmosferë shumë të mirë.
Është e rëndësishme të theksoj dhe t’ju bëj ftesë gjithë qytetarëve që ta shfrytëzojnë mundësinë për të ushtruar përgjegjësinë e tyre qytetare, aq më tepër që jemi në vigjilje të një vendimi shumë të madh për Shqipërinë, pra për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Këto zgjedhje janë po ashtu një kontribut i rëndësishëm në drejtim të dëshmimit të faktit se Shqipëria është një vend, i cili meriton hapjen e negociatave, i cili mund të zhvillojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të drejta.
Në të njëjtën kohë theksoj që forcat e Policisë kanë marrë të gjitha masat për të krijuar mjedis të sigurt për zgjedhjet dhe do të jenë të gatshme, për të vazhduar këtë proces, për ta përmbushur me konsekuencë të lartë këtë përgjegjësi që kanë ndaj qytetarëve shqiptarë”, tha Lleshaj për gazetarët.
Deri tani (10:15) procesi zgjedhor ka qenë i qetë përjashtuar disa incidenteve sporadike në disa qendra votimi.