Terrorizon votuesit me kallash dhe thyen kutinë e votimit, kapet dhunuesi

AKTUALITET


Policia e Durrësit ka reaguar në mënyrë të shpejtë, duke neutralizuar një 53-vjeçar, që ka hyrë me armë kallashnikov në Qendrën e Votimit të fshatit Katund Sukth. Shtetasi Ramiz Bakanaçi ka hyrë në QV nr. 1521, duke kërcënuar komisionerët, ai ka marrë kutinë e votimit duket e nxjerrë jashtë ambienteve të Qendrës së Votimit, duke hedhur materialet zgjedhore.

Forcat e policisë janë lajmëruar në mënyrë të menjëhershme, duke shkuar në vendin e ngjarjes. Aty është bërë ndalimi i personit, të cilit në cilësinë e provës materiale i është sekuestruar një armë automatik model 56, me të cilën personi ka kërcënuar komisionerët e zgjedhjeve.


Kryetari i qendrës së votimit në Katund Sukth të Durrësit në një prononcim për mediat sqaroi atë që ndodhi.

“Një fshatar i jonë erdhi radhën e parë kishte pirë, na ofendoi, na kërcënoi erdhi së dyti me armë në dorë dhe na kërcënoi prapë na mori fletët e votimit me gjithë listën e zgjedhësve dhe doli përjashta. Erdhi policia, e larguan dhe ne vazhduam votimin. E cenoi procesin, por aq sa ishte policia u vunë shiritët. Na erdhi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve na solli listë tjetër”, tha ai.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit “, “Pengimi i subjekteve zgjedhore” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Cilido që do të kryejë veprime që cenojnë procesin e votimit dhe liritë e të drejtat e qytetarëve, do të përgjigjet para ligjit.




Skip to toolbar