Telefonata, Basha hoqi dorë nga skenari i dhunës 1 ditë para zgjedhjeve

AKTUALITET


Lulzim Basha është përpjekur të mbajë të karikuar deri në momentet e fundit militantët e PD-së, para zgjedhjeve të 30 qershorit.

Ai kishte marrë ultimatum nga SHBA që në fillim të javës, të mos ndërrmerrte asnjë veprim më 30 qershor dhe të urdhëronte ndalimin e akteve të dhunës, ndryshe për të dhe PD-në do të kishte pasoja.

Por, pavarësisht kësaj, Basha i ka mbajtur me shpresë mbështetësit e PD-së deri në momentet e fundit, se nuk do të kishte zgjedhje, duke i mashtruar ata.

Burime të gazetës TemA bëjnë me dije se ai i ka marrë në telefon drejtuesit e militantëve vetëm mbrëmjen e së shtunës, për t’iu thënë të mos shkaktojnë asnjë incident apo akt dhune më 30 qershor.

Kërkesa e Bashës ka qenë e papritur për ta, pasi militantët ishin përgatitur seriozisht për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve.

Ata nuk e kanë pritur këtë gjë, pasi gjatë gjithë javës kishin shkaktuar trazira nëpër qendrat e votimeve dhe e diela për ta, ishte dita finale për të vënë në jetë planin e prishjes së zgjedhjeve.

Duke qenë se shumë prej tyre kanë qenë punonjës së Bashkive që drejtoheshin nga PD, tashmë ata do të mbeten edhe pa punë, ndryshe nga sa iu kishte thënë Lulzim Basha, që më 13 gusht kur përfundon mandati i kryebashkiakëve aktualë, ata nuk do të dilnin nga zyra.

Tashmë Basha duhet t’iu japë një sqarim atyre, ndryshe vështirë se mund t’i ketë më në krah për revolucionin e radhës./TemA



Skip to toolbar