Kryeministri i Japonisë i bëri sot thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të ndryshojë urdhrin e tij ekzekutiv mbi tarifat e reja më të larta të Uashingtonit, raporton agjencia e lajmeve Kyodo.
Komentet e Shigeru Ishiba vijnë pasi tarifat 15 për qind të SHBA-së për eksportet japoneze hynë në fuqi që nga sot, sipas Anadolu.
Negociatori kryesor i Japonisë për tarifat, Ryosei Akazawa, udhëtoi gjithashtu për në Uashington më herët këtë javë, duke kërkuar një ulje të shpejtë të tarifave për makinat, në përputhje me marrëveshjen e fundit dypalëshe tregtare midis dy vendeve.
Përpara nisjes së tij, Akazawa i tha një komiteti parlamentar se qëllimi i vizitës së tij ishte të konfirmonte që nuk kishte mospërputhje në termat e dakorduar të tarifave.
Por të mërkurën, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se importet japoneze nuk do të trajtohen në mënyrë të veçantë, siç kishte besuar Tokioja në bazë të marrëveshjes së fundit tregtare.
Sipas marrëveshjes tregtare, Japonia është zotuar të rrisë investimet në SHBA si pjesë e një iniciative prej 550 miliardë dollarësh, ndërsa SHBA-ja do të ulë gjithashtu tarifën për makinat e importuara japoneze nga 27.5 për qind në 15 për qind.
Meqenëse sektori i automjeteve është një shtyllë kyçe e ekonomisë japoneze, tarifat më të larta të zgjatura mund të dëmtojnë prodhuesit kryesorë të makinave si Toyota dhe Honda, të cilët varen shumë nga tregu amerikan, transmeton KosovaPress.
