Policia e Kavajës ka vënë në pranga tre persona dhe ka sekuestruar 11.7 kg kanabis gjatë operacionit të koduar “Porosia e Fundit”.
Fillimisht u arrestua në flagrancë M. K., 23 vjeç, ku gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij, iu gjet një sasi prej rreth 1 kg lëndë narkotike kanabis, si dhe një sasi lekësh që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike, dy aparate celulare që përdoreshin për të siguruar klientelë, si dhe një automjet që mundësonte shpërndarjen e lëndës narkotike.
Operacioni më tej ka vijuar në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Divjakë, në fshatin Çermë, ku u bë arrestimi i shtetasit O. L., 25 vjeç, pasi gjatë kontrollit në magazinën e tij afër vendit ku banonte, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi prej rreth 10,7 kg lëndë narkotike kanabis.
Po në kuadër të operacionit, u bë dhe kapja e arrestimi i E. M., 40 vjeç banues në Zharnec- Divjakë. Nga hetimet paraprake rezultoi se O. L, dhe E. M, siguronin lëndë narkotike dhe ia shisnin shtetasit M. K., i cili më pas e shpërndante në doza të vogla, në qytetin e Kavajës.