Deputeti demokrat Halit Valteri, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka kritikuar ashpër Presidentin Meta se me veprimet dhe sjelljen e tij kohët e fundit nuk po tregon përfaqësuesin e unitetit kombëtar, duke cilësuar konferencën e fundit për mediat si një shfaqje të shëmtuar, ndërsa ka sulmuar familjen dhe fëmijët e kreut të shtetit, por menjëherë ka ndërhyrë Ruçi, duke i kërkuar që të tërheqë mbrapsht akuzat për fëmijët dhe familjen e Presidentit.
“Nuk çuditem me Presidentin, që kthen ligje, pasi nuk është fort mirë këto kohët e fundit. Konferenca e fundit e Presidentit ishte shfaqje e shëmtuar. Ishte shumë i mërzitur dhe armatosur me mllef, sulmoi cilindo që i dilte përpara me mendjen e trazuar nga ëndrrat, se është keq të bësh burg në këtë moshë, është problem i madh. Presidenti harroi edhe rolin që kishte, përfaqësuesi i unitetit kombëtar dhe jo i LSI-së”, tha ai në Kuvend.
Deputeti demokrat sulmoi edhe fëmijët e Presidentit Meta, duke u shprehur se “shqiptarëve u serviret gruaja e Presidentit, si drejtuese partie dhe vajza e vogël, zonjë e parë e shtetit”, por menjëherë ka ndërhyrë Kryetari i Kuvendit, duke i kërkuar që të tërheqë ofendimet që lëshoi në drejtim të Presidentit dhe familjes së tij. “Zoti Valteri është e padrejtë dhe kundër etikës ta ofendosh Presidentin dhe familjen e fëmijët e tij, prandaj kërkoj t’i tërheqësh ato që the për atë”, i kërkoi Ruçi.
Kryetari i Kuvendit nuk ka lejuar që deputeti opozitat të vijonte më tej me akuzat e tij, ndërsa të martën, vetë Presidenti Meta pati një shpërthim plot akuza dhe kërcënime, ku nuk ka kursyer nga sulmet e tij, edhe gazetarin Sokol Balla, duke i përmendur dhe fëmijët.