Kryemadhi zeron Berishën: Protesta të hënën, paqësore

AKTUALITET


Ndryshe nga thirrja për kryengritje e Berishës, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi garantoi se protesta e 8 korrikut e opozitës do të jetë paqësore. Deklaratën kryemadhi e bëri nga selia e PD-së pas takimit që zhvilloi me Bashën.

“Protesta e ditës së hënë do të jetë protestë paqësore si gjithë protestat e tjera. Provokatorët e Ramës e  Sandër Lleshit nuk mund të provokojnë më opozitarët”, tha Kryemadhi.


Ndërsa vetëm pak minuta më herët nga e njëjta seli Berisha bëri thirrje për kryengritje të fuqishme popullore dhe për vazhdimin e betejës.

Përsa i përket lirimit të zyrave nga kryebashkiakët e djathtë, Kryemadhi tha se ata janë legjitim deri më 13 tetor, data e re që caktoi presidenti Ilir Meta për zhvillimin e zgjedhjeve.

“T’i japë shqiptarëve atë që meritojnë, është më e rëndësishme se karriget e kryetarëve të bashkive. 30 qershori është ilegjitim, kemi një dekret presidenti kemi një datë tjetër zgjedhjesh. Sot bëhet fjalë për shqiptarët që kërkojnë bukë për familjet e tyre. Nuk diskutojmë çështjen e zyrave, kryebashkiakët janë legjitim deri në 13 tetor”, u shpreh Kryemadhi.

Kryebashkiakët e PD-së thanë të mërkurën se nuk do t’i lirojnë zyrat e tyre për të zgjedhurit e rinj vendorë, në kundërshtim me thirrjen e ambasadës amerikane dhe faktorit ndërkombëtarë në Shqipëri.




Skip to toolbar