Shtimi i fluturimeve low-cost nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë ka rritur mundësinë e aksesit për turistët britanikë, duke e bërë më të lehtë që të eksplorojnë Shqipërinë.
Sipas të përditshmes britanike “The Standard”, pasagjerët nga Britania e Madhe do të mund të fluturojnë për në Tiranë nga aeroportet lokale në Birmingham dhe Liverpool.
Ndërkohë, në shkrim janë ndarë disa rekomandime lidhur me aktivitetet që mund të bëhen në Shqipëri, qytetet dhe vendet që mund të vizitohen, por edhe restorantet më interesante që rekomandohen edhe nga “Tripadvisor”.
Tirana, qyteti më i madh i Republikës së Shqipërisë, ka një klimë të butë mesdhetare, një mori kishash të bukura dhe xhami të vjetra. Shijoni një shëtitje në qendër, midis ndërtesave si Xhamia e Et’hem Beut e vitit 1789 në Sheshin Skënderbej, Kulla e Sahatit e vitit 1830 dhe Teatri i Kukullave.
Ndërkohë që veç plazheve të bukura dhe qyteteve historike, të cilat mbrohen edhe nga UNESCO, si Gjirokastra dhe Berati ku kalldrëmet e pazarit dhe kalatë madhështore janë plot histori, rekomandohet edhe një tur në Liqenin e Bovillës.
Shqipëria po kthehet në një destinacion kryesor për turistët britanikë. Sipas të dhënave të vitit 2025, numri i turistëve britanikë është mbi 932 mijë, duke ardhur në rritje me 21.5% në krahasim me vitin 2024.
