Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Samiti i IV i Diasporës, theksoi përparimin e Shqipërisë në ofrimin e shërbimeve publike dhe forcimin e shtetit ligjor.
Ai u shpreh se sot rreth 95% e shërbimeve shtetërore janë të aksesueshme online, duke u mundësuar qytetarëve brenda dhe jashtë vendit t’i marrin ato me një klikim nga smartphone apo kompjuteri.
Rama bëri një krahasim me të kaluarën, duke kujtuar se në takimin e parë të diasporës Shqipëria njihej ndërkombëtarisht si një vend ku mbizotëronte pandëshkueshmëria dhe ligji zbatohej vetëm për të dobëtit. Sipas tij, kjo situatë tashmë ka ndryshuar rrënjësisht.
Kryeministri deklaroi se pandëshkueshmëria është “një mit i së kaluarës”, ndërsa shtoi se askush nuk është mbi ligjin dhe drejtësia është sot më e pavarur se kurrë më parë, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1912.
Në përfundim, Rama nënvizoi se reformat në drejtësi kanë qenë vendimtare për të garantuar barazi para ligjit dhe për të mos kursyer askënd në zbatimin e tij.
“Sot ju i merrni të gjitha shërbimet, rreth 95% të shërbimeve të shtetit kudo ku jeni falë një kliku në smartphone apo kompjuterin tuaj. Atëherë kur u mblodhëm për herë të parë, Shqipëria njihej botërisht dhe ishte e damkosur nga Bashkimi evropian si atdheu i pandëshkueshmërisë, ku ligji vepronte vetëm ndaj të dobëtëve dhe ku çdo i fortë sundonte ligji, sot pandëshkueshmëria është një mit i së kaluarës në Shqipëri. Askush sot nuk është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur siç nuk ka qenë qysh ka qenë në krye të herës nga 1912, deri sa ne me vullnet të plotë i dorëzuam shpatën që i takon vetëm asaj për të bërë drejtësia të barabartë për të gjithë dhe pa kursyer askënd.
