Në seancën e zhvilluar ditën e sotme për vrasjen makabër të Liridona Ademaj mësohet se Prokuroria ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për të akuzuarit e ngjarjes: Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.
Burime për mediat bëjnë me dije se kërkesa është bërë në kuadër të procesit gjyqësor për rastin e vrasjes së Liridona Ademaj-Murselit, një nga ngjarjet që ka tronditur mbarë opinionin publik.
Sipas prokurorisë, Naim Murseli është autori i vrasjes së partneres së tij për të cilën ka paguar 30 mijë euro.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore është theksuar se vrasja është kryer nga i akuzuari Granit Plava, ngjarje për të cilën thuhet se është paguar nga Murseli.
Vendimi përfundimtar për fatin e të akuzuarve për vrasjen e të resë, Liridona Ademaj, mbetet në duart e gjyqtarëve.
Ndërsa theksohet se ndaj 3 të akuzuarve rëndon akuza për veprën penale “vrasje e rëndë”.
Prokurorja në fjalën e saj gjatë seancës së sotme gjyqësore theksoi se mizoria e krimit rëndohet nga fakti se fëmijët kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes, duke përmendur edhe deklaratat që ata kanë dhënë te psikologu dhe daja i tyre, të cilëve u kanë thënë se “mamanë e tyre e vranë hajnat (hajdutët)”.
Naim Murseli dyshohet se ka paguar me vetëdije polisën e sigurimit jetësor në emër të saj dhe më pas ka kërkuar vrasjen e gruas së tij.
Sipas prokurores, pagesa e sigurimit është bërë në qershor të vitit 2022 nga familja Murseli në Suedi, ndërsa menjëherë pas kësaj, i akuzuari Kushtrim Kokalla ka dëshmuar se Murseli i kishte kërkuar të gjente mënyrën për ta vrarë Liridonën.
Sipas prokurores, fëmijët thuhet se kanë refuzuar kontaktet me babanë dhe kanë dhënë rrëfime që lidhen me momentin e vrasjes.
Liridona Ademaj, nënë e dy fëmijëve, u vra barbarisht mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit 2023 në Prishtinë. Fillimisht u tha se ajo ishte duke udhëtuar me bashkëshortin dhe dy fëmijët me makinën e tyre, kur persona të maskuar i kanë grabitur dhe gjatë këtij akti, kanë vrarë Liridonën.
Mirëpo, më pas rezultoi se ishte bashkëshorti i saj ai i cili kishte porositur vrasjen e saj. Ky i fundit së bashku me dy fëmijët e çiftit u larguan nga mjeti, duke lënë 30-vjeçaren në makinë aty ku dhe ndodhi vrasja. Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, Granit Plava, personi i akuzuar për vrasjen dhe Kushtrim Kokalla anëtar i FSK-së, dhe Tomë Dodaj janë katër të arrestuarit në lidhje me këtë ngjarje.
