Prersidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka foli në një konferencë për mediat mbi temat më të rëndësishme të futbollit shqiptar. Në fillim u ndal tek e ardhmja e trajnerit Silvinjo. Për kontratën e tij do të vendoset para miqësoreve të qershorit.
“Unë kam biseduar me trajnerin e ekipit menjëherë pasi jemi kthyer nga miqësorja torturuese me Ukrainën se të gjithë ishim të plagosur, ne më shumë se Ukraina, se ata nuk e kishin ndjerë sa ne. Dhe i kam thënë të njëjtat gjëra që sipas meje rrugëtimi i këtyre viteve është pozitiv. Por, një trajner e ndjen vetë dhe duhet ta ndjejë, një profesionist duhet ta ndjejë vetë nëse mund ta udhëheqë një skuadër.
Ky është një pozicion që të konsumon, lojtarët nuk janë të lumtur kur nuk thirren, të ruash ato balanca, të kesh fuqi e akoma energji, e ndjen më shumë ai që është në drejtim. E kam pyetur si e ndjen veten, nëse e udhëheq përsëri këtë skuadër apo jo. E kam detyrim që të jem transparent dhe po i them bisedat siç i kemi bërë me trajnerin. Ai më ka pyetur “Si e mendon ti?”.
Në këndvështrimin tim ke energji akoma i thashë. Ai do marrë kohë për ta menduar dhe për të më dhënë përgjigje. Nuk do të thotë që nëse thotë po, ne do të ofrojmë një kontratë të re. Por do të vendosim para ndeshjeve të qershorit nëse ne do vazhdojmë me trajnerin apo me një tjetër.
Mbase kontrata duhej të ishte deri në mars në fund të play-off, por ne kishim rënë dakord që në nëntor e padyshim mund të kishte qenë ndryshe. Nuk mund të bënim kontratë deri në mars se do ishte demotivuese për skuadrën. I jepnim mesazh që nuk shkojmë në Botëror, ndaj kontrata e trajnerit është deri pasi të përfundojë Botërori. Diferencat janë shumë të vogla dhe përgatitja psikologjike e besimi te fitorja është ndër gjërat më të rëndësishme. E para është të bindësh veten që mund të arrijmë e pastaj ta çojmë te të tjerët”, tha Duka.
