“Korrupsioni në institucionet publike mbete një fenomen shqetësues. SPAK ka shënuar rritje prej 18% të çështjeve të reja. Ky aktivitet i shtuar reflektohet në dërgimin në gjykatë të persona të përfshirë”, kështu u shpreh kreu i SPAK, Klodian Braho gjatë raportimit në KLP.
Gjithashtu ai theksoi se në vitin 2025 SPAK ka vijuar të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, duke regjistruar një rritje prej 17.7% të çështjeve/hetimeve të reja dhe 12.2% të çështjeve/hetimeve të përfunduara.
Pjesë nga fjala e kreut të SPAK Klodian Braho;
Në luftën kundër krimit të organizuar, gjatë vitit 2025, edhe pse numri i çështjeve dhe hetimeve të regjistruara është më i ulët krahasuar me vitin 2024, çështjet dhe hetimet e përfunduara kanë shënuar një rritje prej rreth 3.4% (nga 58 në vitin 2024, në 60 në vitin 2025). Ky tregues konfirmon vazhdimësinë e një trendi rritës (gati të dyfishuar) që dëshmon përmirësim të qëndrueshëm, krahasuar me të dhënat statistikore të viteve 2022 dhe 2023. Këto të dhëna tregojnë rritjen e angazhimit të Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit 2025 për përfundimin e hetimeve në çështjet që lidhen me krimin e organizuar, duke reflektuar një qasje të vendosur ndaj veprave penale të lidhura me grupet kriminale të strukturuara, si dhe luftën ndaj këtij fenomeni.
Të dhënat krahasuese për periudhën 2024–2025 tregojnë gjithashtu një rritje prej 11.5% të personave nën hetim dhe 36.6% të personave të dërguar në gjykatë, çka tregon një orientim më cilësor të hetimeve drejt strukturave më të gjera dhe më të organizuara kriminale.
Nga ana tjetër, rritja e pezullimeve me 93.7% dhe ulja e lehtë e çështjeve të dërguara në gjykatë me 14.3% evidentojnë sfida procedurale që lidhen me nivelin e kompleksitetit të çështjeve. Megjithatë, në tërësi, treguesit paraqesin një qasje më të thelluar dhe më të fokusuar të ndjekjes penale.
Në vitin 2025, SPAK ka vijuar të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, duke regjistruar një rritje prej 17.7% të çështjeve/hetimeve të reja dhe 12.2% të çështjeve/hetimeve të përfunduara. Ky aktivitet është reflektuar edhe në dërgimin në gjykatë të 24 procedimeve me 147 të pandehur për korrupsion në nivelet e larta, si dhe 10 procedimeve me 13 të pandehur për korrupsion në nivelet e tjera.
SPAK ka vijuar me vendosmëri hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë, me 6 procedime të reja ndaj 16 personave nën hetim. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë nën hetim gjatë vitit 2025, mbi 50% e tyre (18 persona) janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë, duke treguar qëndrueshmëri dhe efektivitet në ndjekjen penale në nivelet më të larta të administratës publike.
Sipas të dhënave statistikore, evidentohet një nivel i lartë besimi i publikut ndaj SPAK. Në vitin 2025, hetimet e filluara me kallëzim nga shtetasit përbëjnë rreth 33.5% të totalit të procedimeve të nisura gjatë këtij viti.
Bashkëpunimi me institucionet publike dhe personat juridikë ka shënuar një përmirësim relativ gjatë vitit 2025. Hetimet e filluara mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit janë rritur me rreth 70%, ndërsa hetimet e nisura nga referimet e institucioneve të tjera publike kanë shënuar një rritje prej rreth 15%. Nga ana tjetër, hetimet e nisura mbi bazën e kallëzimeve nga subjekte politike dhe persona juridikë kanë pësuar rënie përkatësisht me rreth 50% dhe 75%.
