Kuvendi i Kosovës ka dështuar të përmbushë një nga detyrimet e tij kushtetuese më të rëndësishme, pasi deputetët nuk arritën të zgjedhin presidentin e ri brenda afatit të përcaktuar. Seanca e mbajtur mbrëmjen e 28 prillit përfundoi pa rezultat, duke çuar automatikisht në shpërndarjen e Kuvendit dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të reja, të cilat pritet të mbahen brenda 45 ditësh.
Analisti Albatros Rexhaj, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit, duke theksuar se emri i Vjosa Osmanit është përdorur në debatin politik. Sipas tij, kur Osmani kërkoi rikandidimin, nuk u mor seriozisht nga aktorët politikë, ndërsa situata ndryshoi pasi kryeministri Albin Kurti e pranoi atë si kandidate.
Rexhaj vuri në dukje gjithashtu përplasjet e vazhdueshme mes kryeministrit dhe presidentes gjatë dy viteve të fundit, duke rikujtuar akuzat publike të Osmanit, e cila e ka cilësuar Kurtin si “bixhozxhi me fatin e Kosovës” dhe e ka akuzuar për ndërhyrje në kompetencat e saj. Në këtë kontekst, ai kritikoi edhe qëndrimin e Kurtit për nevojën e një presidenti konsensual, duke e cilësuar atë si të pasinqertë.
“Ka një abuzim emrin e Vjosa Osmanit. Kur Vjosa Osmani kërkoi që të rikandidonte, asnjë nuk e mori seriozisht, kur Kurti e pranoi si kandidate atëherë u kthyen kundër. Dy vitet e fundit ka pasur përplasje me kryeministrin dhe presidentes. Ajo e ka quajtur si bixhozxhi me fatin e Kosovës dhe se po hynte në kompetencat e saj. Kurti nuk ka qenë i drejtë kur tha që duhet një president konsensual”,tha Rexhaj.
