Ratifikohet marrëveshja e sigurimeve shoqërore me Poloninë, pritet avancim i bisedimeve me Greqinë

AKTUALITET


Shqipëria ka ratifikuar marrëveshjen e sigurimeve shoqërore me Poloninë, duke e çuar në 21 numrin e marrëveshjeve të këtij lloji që qeveria ka nënshkruar me vendet ku jeton diaspora shqiptare. Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se kjo është marrëveshja e 10-të me vendet e Bashkimit Evropian, e cila synon të lehtësojë jetën e shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit.

“Është ratifikuar marrëveshja mes Shqipërisë dhe Polonisë për sigurimet shoqërore. Kjo është marrëveshja e 21-të nga nismat që ka marrë qeveria me vendet ku ka diasporë shqiptare. Është marrëveshja e 10-të me vendet e BE-së dhe janë të nevojshme për ata shqiptarë që jetojnë atje.

Nga ana tjetër, qeveria mbetet e angazhuar që të vijojë me ratifikimin e marrëveshjeve me të gjitha vendet që kanë diasporë të pranishme”, tha Malaj.

Sa i përket marrëveshjes me Greqinë, ku jeton një nga komunitetet më të mëdha të shqiptarëve, diskutimet janë ende në proces. Sipas Ministrisë së Financave, negociatat janë intensive dhe përfshijnë një sërë çështjesh të ndjeshme.

“Sa i përket ecurisë së diskutimeve me qeverinë greke, ato janë intensive nga ana e palës shqiptare, për arsye se diaspora e pranishme atje është e madhe. Jemi besimplotë që do ta konkludojmë një marrëveshje të tillë, por ende ka një intensitet të lartë negociatash dhe çështjesh që po diskutohen”, tha Malaj.



Skip to toolbar