Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në firmosjen e marrëveshjes mes shoqërisë Ficantieri, një nga kompanitë më të mëdha të ekselencës në Europë dhe kompanisë KAYO, për të prodhuar në Shqipëri në kantierin e Pashalimanit anije lundruese në dobi të ushtrisë shqiptare, por dhe të vendeve aleate.
Kryeministri Edi Rama tha se fillimisht do të prodhohen dy anijet e para për Forcat Detare të Shqipërisë, duke e çuar në shtatë numrin total të flotës sonë.
Ai theksoi se prodhimi do të vazhdojë më tej për të eksportuar anijet te vendet aleate. Rama e konsideroi marrëveshjen të rëndësishme për ekonominë industriale të Shqipërisë dhe të rinjtë që do të rekrutohen.
“Është një marrëveshje me Ficantieri-n për të krijuar një shoqëri të re Ficantieri Albania, së bashku me KAYO për të prodhuar po në Shqipëri, në kantierin Pashalimanit anije lundruese në dobi të ushtrisë shqiptare, por edhe për ushtri të tjera të vendeve aleate. Do të krijohet një ekselencë italo-shqiptare. Kjo marrëveshje është një lajm shumë i mirë, për vajzat dhe djemtë e shkollës industriale të Vlorës, që do të jenë të parët që do të ftohen të marrin pjesë në një rrugëtim formimi për të qenë nesër pjesëmarrës të kësaj shoqërie të re ekselence, në qytetin e tyre. Kjo marrëveshje hapë rrugën për një diskutim të ri të natyrës ekonomike si për Ficantieri-n ashtu edhe KAYO-n. Do të përfitojmë nga dy anijet e para që do ndërtohen për Forcat tona Detare dhe do çojnë në 7 numrin e anijeve të flotës sonë. Është një numër optimal sa i përket peshës dhe përgjegjësisë së Shqipërisë në Mesdhe. Prodhimi do vazhdojë më tej për të eksportuar këto anije, aty ku teknologjia e re dhe inovacioni që do shoqërojë këtë rrugëtim, do implementohet”, tha Rama.
Ai shtoi se “duhet të përshtatemi për të patur një mbrojtje dinjtoze, për të qenë në lartësinë e një vendi të vogël por krenarë në aleancën trans-atlantike ku bëjmë pjesë”.
