Ish-deputeti i PD Ervin Salianji në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, foli për situatën politike në PD, duke u ndalur edhe te zgjedhjet për kryetar.
Gjatë intervistës, komentoi edhe protestat e opozitës, duke u shprehur kritik, pasi pjesëmarrja është e ulët.
Salianji nënvizoi se edhe qytetarët e kanë kuptuar se Berisha nuk mund të fitojë, ndërsa kujtoi edhe deklaratat e kreut të PD i cili shprehet se do e mundte Ramën për 6 muaj.
Pjesë nga intervista;
Ervin Salianji: Mbështetës në ditë të keqe, se atë nuk e quan Berisha. Në ditën e zezë të veten, që quan shpalljen non grata, këta zotërinjtë në Fier i bënë takimin e parë, që bëri Berisha nëpër rrethe, i mblodhën jo pak njerëz. Dhe për protestën mua më vjen keq, PD po të organizojë protestë e mbush bulevardin pa asnjë problem. Edhe unë jam në PD, dhe mua më vjen zor nuk e di si nuk iu vjen këtyre. Më takoi një qytetar një ditë në rrugë më tha: ore po te kjo protesta e fundit që kishit, unë kisha festë se bëra festën e syntellikut të çunit, unë kisha më shumë njerëz, s’mund të ketë partia politike më pak se festa e synetllikut është problem i madh.
Sokol Balla: Si e shpjegon këtë? Ne të gjithë e dimë që PD kur vjen puna nuk ka qenë kurrë një parti e mirëfilltë ka qenë gjithmonë një lëvizje deri diku rrëmujë kaotike, elektorale, ka patur frymë ama sigurisht.
Ervin Salianji: Ka patur frymë se ka patur një iluzion që e para do ketë garë dhe ambiciet dhe përpjekjet për të avancuar në karrierë e mbajnë një parti të gjallë, tani kanë rënë gjithë iluzionet. Ka rënë iluzioni tjetër që Sali Berisha, mund të fitojë. Ju e mbani që ju mund t’ju dukej e pavërtetë siç e kam thënë edhe unë nga shtatori 2021 në mars 2022, po shumë njerëz e besuan që Berisha do e tërhiqte zvarrë Edi Ramën, do e mundte për 6 muaj ishte ngritur kjo ideja që është i fortë të mund, ndërkohë që e vetmja forcë që tregoi Berisha është që goditi me kokë Dashin në selinë e PD-së pse nuk e gjuan kryeministrinë? Se ka edhe një gjë tjetër. Këtu regjim është Edi Rama apo jo?
