Ervin Salianji në intervistë për “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, deklaroi se do të vazhdojë betejën e tij politike brenda Partisë Demokratike, duke synuar ndryshimin e modelit aktual të opozitës.
Ai theksoi se nuk përjashton asnjë opsion për zgjedhjet e ardhshme vendore, por vendimet do t’i marrë në bazë të takimeve me demokratët dhe interesit të qytetarëve.
Sipas tij, aktualisht fokusi mbetet te denoncimi i problematikave brenda PD dhe rikthimi i saj në funksion të demokratëve.
Salianji akuzoi Sali Berishën si “tradhtarin e vetëm” të idealeve të Partisë Demokratike, duke thënë se ka shkelur parimet demokratike dhe po e mban peng partinë për interesa personale.
Sipas tij, Berisha bashkëpunon me kryeministrin Rama, në vend që të ishte kundërshtari më i thekur.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: E tmerrshme që të arrihet deri në këtë pikë. Megjithatë ta thash shumë vetë mendojnë që kapitulli i PD, dhe Sali Berishës politikisht dhe biologjikisht tashmë janë bashkë, ju e thatë vetë se opozicioni në Shqipëri do marrë kohë, por le të themi ka një frymë tjetër te njerëzit, që nuk kanë interes për parti politike, dhe ka shumë të tjerë që duan që Shqipëria të jetë edhe më mirë, dhe ky lloj sensi kritik i shoqërisë për ecjen përpara të Shqipërisë, sigurisht nuk ka lidhje me Berishën por është kritike edhe me qeverinë dhe kjo lloj mënyrë të re e të bërit opozitë, është ajo që po mungon sot në aksionin politik opozitar.
Ervin Salianji: Përpjekja imë është për të ndryshuar këtë model
Sokol Balla: Konkretisht, vitin e ardhshëm ka zgjedhje lokale.
Ervin Salianji: Ka kohë dhe do jemi prapë deri atëherë, por unë do ta vazhdoj betejën prapë me PD.
Sokol Balla: Unë po e bëj pyetjen, nëse deri dje ju do quheshit tradhtar, me aktin e tradhtisë apo të vdekjes së trupës demokratike të PD të ditës së premte ku Berisha shpallet i vetmi kandidat zyrtar, askush nuk mund t’ju quajë më tradhtar.
Ervin Salianji: Po ka edhe një gjë tjetër, i vetmi tradhtar është Sali Berisha, që ka tradhtuar besimin e demokratëve, ka tradhtuar disa norma dhe parime morale që nuk bëhen ndaj njerëzve, ka tradhtuar besimin e shoqërisë se po e mban PD peng, ka tradhtuar gjithë parimet e demokracisë, ka tradhtuar për shkak se bashkëpunon me Edi Ramën ndërkohë që duhet të jetë kundërshtar. Kështuqë, çfarë e kam tradhtuar unë?
Sokol Balla: Dalim te kjo pika, nëse ju do merrni një aksion konkret politik elektoral, para aktit të tmerrshëm të ditës së premte, sindroma e tradhtarit do të ndiqte nga pas, tani kjo sindromë sigurisht bie, pas ditë së premte ju keni të gjithë të drejtën morale të thoni, siç sapo thatë, kush është tradhtari i vërtetë i idealeve të PD. Vijnë zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ju jeni një person me influencë të fortë jeni me influencë në Rrogozhinë e Kavajë, po ashtu Elbasan apo Durrës, a do bëni ju atë që bëri Berisha në zgjedhjet e vitit 2023, që unë e kam vlerësuar me thënë të drejtën, kur ai pa logon e PD, pa stemën e PD u fut në një garë në një përballje elektorale ku sigurisht e dëmtoi opozitën, tregoi se kishte influencë në skenën e opozitës
Ervin Salianji: Shiko, unë do të bëj betejën në PD, ka një vit kohë dhe do jemi këtu prapë, për momentin unë do të vijoj prapë takimet me demokratët dhe në bazë të takimeve me ta do kem qëndrime të tjera do të vijoj të ekspozoj për momentin gjithë problematikat që ka PD, se unë jam në Partinë Demokratike dhe kontributi dhe sakrifica e mijëra demokratëve nuk mund të hidhen në kosh për shkak të interesit personal të Sali Berishës. Kështuqë, do vijoj ta bëj betejën
Sokol Balla: Do vazhdosh ta bësh ti vetëm, apo do ketë një kohezion midis zërave opozitarë por edhe kritik ndaj linjës së PD
Ervin Salianji: Po ta shikosh jo vetëm në hapësirën publike por edhe te njerëzit, ka një lloj kohezioni që Sali Berisha është uzurpator I PD dhe që pengon rrotacionin. Pra nuk është pak kjo
Sokol Balla: Puna është a do ketë hapa konkretë, takime, koordinime
Ervin Salianji: Unë takime bëj gjithë kohën
Sokol Balla: Flas me ata që janë ekspozuar..
Ervin Salianji: Për atë që ka të bëjë për lëvizje publike, besoj që do kemi një fazë tjetër për të diskutuar
Sokol Balla: Do mbeteni te dera e PD, por ju nuk i përjashtoni asnjë nga opsionet
Ervin Salianji: Jo, sepse unë do të zgjedh opsionin që i shërben më shumë interesit të qytetarëve dhe interesit të opozitarëve në këtë vend.
