Balla në mbledhjen KKIE: Shqipëria më pranë se kurrë anëtarësimit në BE

AKTUALITET


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëherësh dhe nën Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian deklaroi sot se Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të integrimit europian dhe më pranë se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në fjalën e tij, në mbledhjen periodike të KKIE Balla vlerësoi progresin e arritur në procesin e negociatave me BE-në, duke nënvizuar se hapja e të gjithë grupkapitujve brenda një periudhe të shkurtër kohore përfaqëson një arritje historike për vendin.

Ai theksoi se mbështetja e gjerë e qytetarëve shqiptarë për integrimin europian është një dëshmi e qartë e orientimit strategjik të Shqipërisë dhe e konsensusit kombëtar për të ardhmen europiane të vendit.

Balla u ndal edhe te miratimi nga Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Europian i raportit për Shqipërinë 2025, duke e cilësuar atë si një sinjal të fortë mbështetjeje nga institucionet europiane për progresin e reformave dhe ritmin e negociatave.

Sipas tij, reformat në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimi i institucioneve demokratike kanë rritur besueshmërinë e Shqipërisë në sytë e partnerëve europianë.

Në përfundim, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS theksoi se objektivi për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 duhet të mbetet një angazhim i përbashkët politik dhe institucional, duke bërë thirrje për ruajtjen e ritmit të reformave dhe bashkëpunim të gjerë në funksion të integrimit europian të Shqipërisë.

Fjala e plotë:

Ju falënderoj për praninë në këtë takim periodik të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian,
i cili zhvillohet në një moment shumë domethënës për rrugëtimin europian të Shqipërisë,
në vigjilje të Ditës së Europës dhe në një fazë që, pa hezitim, mund ta cilësojmë si fazën përfundimtare të rrugës sonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm që rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian nuk ka qenë dhe nuk është thjesht një proces politik apo institucional por një projekt i thellë transformimi kombëtar.
Është procesi përmes të cilit kemi reformuar shtetin,
kemi forcuar institucionet,
kemi përafruar legjislacionin, kemi rritur standardet e qeverisjes
dhe kemi orientuar të ardhmen tonë drejt familjes europiane të kombeve.
Ky është një projekt që ka kërkuar kohë, përkushtim, sakrifica dhe, mbi të gjitha, vullnet të palëkundur kombëtar.
Për këtë arsye, sot është e rëndësishme të nënvizojmë se integrimi europian nuk është pronë e një shumice apo e një qeverie por një aspiratë historike e shqiptarëve dhe një objektiv strategjik i shtetit shqiptar.
Këtë e konfirmon qartë edhe mbështetja e gjerë publike.
Sipas Eurobarometrit Special mbi Zgjerimin,
të publikuar nga Komisioni Europian më 2 shtator 2025,
91% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Një tregues i qartë që dëshmon jo vetëm konsensusin shoqëror për këtë proces,
por edhe besimin e qytetarëve tanë se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian.

Të nderuar të pranishëm,
Sot Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të këtij procesi.
Në këtë kontekst, dua të ndalem edhe te një zhvillim shumë i rëndësishëm i datës 5 maj 2026.
Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Europian, AFET, miratoi mocionin për Rezolutën e raportit për Shqipërinë 2025 me një rezultat më bindës se kurrë me 58 vota pro dhe 7 kundër.
Ky është një sinjal i qartë politik dhe institucional që pasqyron progresin e madh të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Eurodeputetët vlerësojnë përkushtimin e Shqipërisë në këtë proces dhe mbështesin ambicien tonë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.
Me këtë rast, shpreh mirënjohjen për Kryetarin David McAllister dhe për të gjithë anëtarët e AFET-it për këtë vlerësim domethënës,
si dhe një falënderim të veçantë për Raporterin për Shqipërinë, Andreas Schieder, për punën serioze, objektive dhe mbështetëse në pasqyrimin e arritjeve të vendit tonë dhe të angazhimit tonë konsistent për të çuar përpara reformat dhe integrimin europian.
Duke qenë mikpritësi në këtë takim periodik të KKIE dua të ndalem vetëm në tekstin e draft rezolutës së miratuar në Komisionin për Punët e Jashtme të PE si një udhërrëfyes për rrugëtimin në vazhdim të Shqipërisë
Teksti i kompromisit i miratuar në Komisionin për Punët e Jashtme nis me një vlerësim shumë domethënës për vendin tonë.
Ai mirëpret angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë ndaj integrimit europian, të mbështetur si në konsensusin ndërmjet forcave politike, ashtu edhe në mbështetjen dërrmuese të qytetarëve shqiptarë.
Po ashtu, ai vlerëson faktin që Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave të anëtarësimit brenda vetëm 13 muajve, një ritëm që e vendos vendin tonë ndër shembujt më të qartë të progresit në procesin e zgjerimit.
Ky është një mesazh me peshë politike.
Do të thotë se Shqipëria nuk shihet më si një vend që thjesht aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian por shihet si një vend që po ecën me ritëm të paprecedentë, që po prodhon rezultate dhe që po e kthen projektin europian në realitet konkret.

Po aq domethënës është edhe fakti që ky tekst mirëpret ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 dhe njeh progresin e shpejtë të bërë në vitet e fundit.
Kjo ka rëndësi të veçantë, sepse objektivi ynë nuk trajtohet më si një dëshirë politike abstrakte, por si një synim realist, i mbështetur mbi ecuri konkrete dhe mbi një ritëm reformash që po jep rezultat.
Pra, sot kemi hyrë në një fazë të re.

Shqipëria nuk po matet më me premtime.
Po matet me fakte.
Nuk po gjykohet më nga pritshmëritë.
Po gjykohet nga puna e bërë.
Dhe puna e bërë po njihet.
Dokumenti i Komisionit të Politikës së Jashtme bën të qartë se Shqipëria ka ruajtur një orientim të qartë dhe të qëndrueshëm strategjik drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe ka demonstruar përputhje të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Pikërisht kjo përputhje e plotë, edhe në çështje të ndjeshme të sigurisë dhe të qëndrimeve ndërkombëtare, e konfirmon Shqipërinë si një partner të besueshëm, serioz dhe me profil të qartë euroatlantik.
Po kështu, aty nënvizohet se përparimi i Shqipërisë në rrugën europiane kontribuon në stabilitetin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e vetë kontinentit europian.
Kjo është një formulë shumë e fortë politikisht, sepse do të thotë se Shqipëria nuk shihet më vetëm si përfituese e procesit të zgjerimit, por si një vend që kontribuon realisht në Europën e sigurisë, të stabilitetit dhe të paqes.
Në fushën e shtetit të së drejtës, ky dokument mirëpret vijimin e reformës në drejtësi, përfshirë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke theksuar se ai ka kontribuar në rritjen e përgjegjshmërisë dhe integritetit në sistemin gjyqësor.
Vlerësohen gjithashtu emërimet e reja të magjistratëve, që kanë ndihmuar në uljen e vakancave, si dhe përmirësimi i vazhdueshëm i eficiencës së Gjykatës Kushtetuese.
Po në këtë frymë, teksti njeh punën e institucioneve të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë SPAK-un, dhe mirëpret përparimin në legjislacionin kyç kundër korrupsionit, si mbrojtja e sinjalizuesve dhe konfliktet e interesit.
Po ashtu, ai mbështet forcimin e mëtejshëm të hetimeve financiare, të mekanizmave për gjurmimin, ngrirjen dhe konfiskimin e aseteve kriminale, si dhe rritjen e kapaciteteve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.
Këto nuk janë zhvillime të vogla.
Këto janë tregues të një shteti që po forcohet.
Të një shteti që po modernizohet.
Të një shteti që po afrohet realisht me standardet europiane.
Në fushën e të drejtave themelore dhe lirive, ky vlerësim europian njeh progres konkret.
Ai mirëpret përmirësimin e Shqipërisë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, nga vendi i 99-të në vitin 2024 në vendin e 80-të në vitin 2025 dhe përshëndet ligjin për barazinë gjinore, si të përputhur me acquis të Bashkimit Europian dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Gjithashtu, dokumenti vlerëson rolin e shoqërisë civile në Shqipëri si një faktor të rëndësishëm dhe pozitiv në procesin e reformave.

Edhe në administratën publike konstatohet përparim.
Teksti njeh progresin në planifikimin strategjik dhe koordinimin, mirëpret miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike 2025–2030,
si dhe përshëndet zhvillime të rëndësishme në fushën e sigurisë kibernetike,
të transmetimit të të dhënave drejt Eurostat dhe të përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit.

Në planin ekonomik dhe social, dokumenti mirëpret angazhimin e Shqipërisë në zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor,
modernizimin e sistemeve doganore,
hapat përpara në përafrimin e legjislacionit financiar, si dhe propozimin për shtrirjen e regjimit “roam like at home” në Ballkanin Perëndimor.
Ai nënvizon rëndësinë e investimit në arsim, zhvillimin e aftësive dhe inovacionin, si dhe mbështet politikat që synojnë të frenojnë emigrimin e të rinjve dhe ikjen e trurit, duke krijuar më shumë mundësi për brezin e ri në Shqipëri.

Pra, edhe në këtë dimension, ajo që vjen nga Brukseli është e qartë: Shqipëria nuk po ndjek thjesht një axhendë negociatash.
Shqipëria po ndërton standarde të reja, po reformon shtetin dhe po forcon themelet e saj europiane.

Të nderuar kolegë,
Sigurisht, çdo vlerësim europian përmban edhe rekomandime, kërkesa dhe pritshmëri për më shumë reformë.
Kjo është pjesë normale e procesit të anëtarësimit. Por ajo që ka rëndësi sot është se tabloja e përgjithshme që del nga ky dokument është qartësisht pozitive për Shqipërinë.

Ky tekst nuk flet për ngecje.
Nuk flet për humbje drejtimi.
Nuk flet për pasiguri strategjike.
Ai flet për avancim.
Për ritëm.
Për besueshmëri.
Për përkushtim të jashtëzakonshëm.
Për një Shqipëri që po hyn seriozisht në fazën përmbyllëse të rrugës së saj europiane.
Për këtë arsye, detyra jonë politike dhe institucionale është e qartë: ta ruajmë këtë momentum pozitiv, ta forcojmë këtë ritëm dhe ta çojmë deri në fund këtë mundësi historike.
Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian duhet të jenë në lartësinë e këtij momenti.
Sepse sot Europa po i njeh më qartë arritjet e Shqipërisë.
Dhe ne duhet t’i përgjigjemi kësaj njohjeje me më shumë punë, më shumë përgjegjësi dhe më shumë vendosmëri.
Sot Shqipëria nuk është më thjesht në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Sot Shqipëria është një nga shembujt më të qartë të progresit në procesin e zgjerimit.
Dhe pikërisht për këtë arsye, ambicia për të përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027 duhet të mbetet objektivi ynë i përbashkët kombëtar.
Ky është momenti për të ecur përpara.
Dhe ky është momenti për ta çuar Shqipërinë deri në fund të kësaj rruge sëbashku.

Ju faleminderit.



Skip to toolbar