Pedagogu Klementin Mile ka deklaruar se reagimi i qeverisë shqiptare ndaj tensioneve me faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut duhet të ishte teknik.
I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, pedagogu Mile foli për protestën e studentëve shqiptarë në RMV.
Sipas tij, qeveria shqiptare nuk duhet të kishte heshtur përballë situatës, por të kishte kontribuar në normalizimin e marrëdhënieve.
“Një nga gjërat që kërkon BE është bashkëpunimi rajonal, të sheshohen mosmarrëveshjet mes vendeve…Ndaj do të ishte normale që qeveria shqiptare jo të heshte dhe të linte konfliktin me faktorin shqiptar aty, por të normalizonte raportin. Qëndrimi i qeverisë tonë do të duhet të ishte në terma teknik sepse po dolëm në terma politike e simbolik aty më pas çështja ndryshon”, u shpreh Mile.
Nga ana tjetër, analisti Ergys Mërtiri e cilësoi situatën si një çështje të pastër politike dhe etnike, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Hristijan Mickoski për politika që, sipas tij, synojnë të ulin nivelin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Është çështje etnike e politike dhe duhet të trajtohet si çështje politike. Veprimi i qeverisë dukshme është për t’i mohuar një të drejtë shqiptarëve dhe qëllimi i qeverisë Mickovski është për të ulur nivelin e të drejtave që kanë shqiptarët atje. Kjo qeveri dhe politika e frymëzuar nga kjo frymë antishqiptare tek maqedonasit, por prodhon një Maqedoni ku shqiptarët dhe maqedonasit nuk ndjehen rehat”, tha ai.
