Mijëra studentë e qytetarë shqiptarë dolën sot në rrugët e Shkupit me flamujt kombëtarë dhe pankarta që kërkojnë të drejtën e përdorimit të shqipes në shkolla e universitete, siç e përcakton edhe Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut.
Mes shumë pankartave dhe thirrjeve, studentët kërkuan edhe dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, që sipas tyre ka kundërshtuar kërkesën e tyre për të dhënë provimet në gjuhën shqipe.
Pedagogu Klementin Mile, nga studioja e “Real Story” u shpreh se protesta është një nga rrugët për kërkuar zgjidhjen e situatës, por tha se ato nuk janë instrumenti më i mirë.
Ai theksoi se Shqipëria nuk mund të mbajë një qëndrim ballazi me Maqedoninë e Veriut, pasi kjo qasje shtoi ai do ta tensiononte raportin mes vendeve.
“Ajo është parulla e duhur dhe qëndrimi i studentëve është korrekt, është brenda të drejtave që duan të këtë. Por unë po flas, se si realizohet e gjitha kjo?
Që është politike nga ana e Maqedonisë së Veriut, nuk diskutohet fare. Ndihen superiorë dhe i duan t’i reduktojnë në inferiorë shqiptarët, edhe kjo nuk diskutohet fare. Problemi është se pasi i kemi thënë gjithë këto, si të përballemi me këtë situatë?
Ata e bëjnë politike, fillojnë me teza fashiste, si ti përgjigjemi ne, me teza antifashiste? Rruga e protestës është një nga zgjidhjet, një opsion, unë do thoja se nuk është më i miri. Pse po e them?
Nëse qeveria e Shqipërisë i qëndron ballazi Maqedonisë së Veriut, duke thënë ne s’jemi dakord çfarë po bëni ju. Ku do çojë kjo? Thjesht do të tensionojë pak raportin”, tha ai.
Gjatë diskutimit në studio, Mile propozoi dhe një ide tjetër, që çështja të dërgohet në Bashkimin Euroipian dhe t’i kërkohet ngritja e një komisioni Monitorues, i cili të vijë në Maqedoninë e Veriut dhe të shikojë problemin në terren.
“Mund të kërkojmë një Komision Monitorues nga BE. Le të vijnë në terren ata, le të bëjnë një raport dhe le të shohin situatën, tha ai.
