Shkupi u vesh kuq e zi në protestën e studentëve shqiptarë që kërkojnë mbrojtjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Mijëra studentë e qytetarë dolën në rrugë me flamujt kombëtarë dhe pankarta që kërkojnë të drejtën e përdorimit të shqipes në shkolla e universitete, siç e përcakton edhe Kushtetuta. Studentët kërkojnë edhe dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, që ka kundërshtuar kërkesën e tyre për të dhënë provimet në shqip.
Analisti Plator Nesturi, i ftuar në “Real Story”, u shpreh se protesta studentore ka marrë përkrahje popullore si te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri, por edhe në Kosovë.
Ai theksoi se pas protestës, kriza tashmë i mbetet klasës politike, e cila duhet të përballet me pasojat dhe të japë zgjidhje për problemet.
Ai foli dhe për rolin e Shqipërisë, dhe qasjen që ajo mban karshi protestës së studentëve, ku mes tjerash shtoi se:
“Ne nuk kemi informacion se çfarë ka bërë Ministria e Jashtme. Unë nuk mendoj se nuk do ketë pasur asnjë lëvizje, sepse do ishte dehe më skandal. Realisht për hir të çështjes së stabilitetit rajonal. Tirana zyrtare ka qenë e kujdesshme, sidomos me RMV. Ky është një fakt që nuk ka të bëjë vetëm me ketë rast.
Studentët realisht me këtë lëvizje të tyre, duke treguar sensin e protestës dhe kanë gjetur rrezatim dhe përkrahje popullore jo vetëm bren shqiptarëve të RMV, por edhe në Shqipëri dhe në Kosovë, është një element i rëndësishëm. Për mua, ata e kanë fituar betejën dhe kanë për t’ia arritur qëllimit të tyre. Pas kësaj lëvizje, kriza i ngelet klasës politike. Çështja nuk është se mbaron me kaq”, u shpreh Nesturi.
