Kosova rrezikon të humbasë rreth 250 milionë euro nga Plani i rritjes i Bashkimit Europian për shkak të krizës politike dhe mospërmbushjes së procedurave në afatet e caktuara kohore.
Në kushtet politike ku ndodhet, Kosova rrezikon të humbë mbi 90 milionë euro nëse deri në fund të qershorit nuk raporton në Bruksel se i ka përmbushur hapat e caktuar.
Vetëm gjashtë muaj më vonë Kosovës do t’i skadojë një afat tjetër dhe mundësitë që Kosova të humbë pastaj edhe mbi 160 milionë euro janë të mëdha.
Po t’i përmbushë kushtet deri në fund të qershorit, që duket shumë e vështirë, nëse jo e pamundur në rrethanat politike në Kosovë dhe procesin zgjedhor, atëherë afati për dorëzimin e kërkesës për pagesë është 15 korriku.
Humbja e një pjese të madhe të parave, nëse jo të gjitha, duket e pashmangshme, pasi për disa nga kushtet që kërkohen duhet përfshirje edhe e Parlamentit të Kosovës në vendimmarrje.
Vështirë se Kosova mund ta konstituojë Kuvendin para fundit të qershorit për t’i përmbushur kushtet e kërkuara, kështu që ato mjete mund të konsiderohen që tashmë të humbura…
Të mërkurën, Komisioni Evropian miratoi pagesat për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi në një shumë të përbashkët prej afro 160 milionë euro.
62 milionë euro që tashmë ka marrë Kosova janë nga parafinancimi dhe për to ka mjaftuar ratifikimi i marrëveshjeve në Kuvend.
Bosnja e Hercegovina mbetet i vetmi vend i cili nuk ka marrë asnjë cend nga Plani i Rritjes, ndërsa për Serbinë fondet mbeten ende pezull.
