Pretendoi 60% të votave për të drejtuar i vetëm qeverinë, kuvendin dhe presidencën, por qytetarët e Kosovës dhanë një tjetër mesazh në kutitë e votimit.
Ata nuk pranuan përqëndrimin e të gjitha pushteteve te një subjekt i vetëm politik, por gjithsesi mbeten skeptikë edhe ndaj përfaqësimit nga partitë opozitare, ndërsa dalja në zgjedhje rezultoi më e ulta në 5 vitet e fundit me rreth 37 përqind.
Vetëvendosja e Albin Kurtit mori rreth 43% të votave, çka do të përkthehet në 48 deputetë në Kuvend, ose 9 më pak se në zgjedhjet e 28 dhjetorit. PDK arriti të ruajë vendin e dytë në renditje me rreth 21% të votave, ose 24 mandate deputetësh, duke regjistruar një rritje të lehtë.
Ndërkohë, LDK, me Vjosa Osmanin në krye të listës, vijon të mbetet forca e tretë politike në vend, edhe pse pritshmëritë brenda partisë ishin më të larta.
Gjithsesi, Osmani i solli partisë edhe 5 mandate deputetësh më shumë krahasuar me rezultatin e dobët të zgjedhjeve të kaluara.
Leximin e parë të votave të qytetarëve partitë e bënë që në mesnatë. Albin Kurti, edhe pse deklaroi se vendi ka qeveri dhe president, tha se do të nisë bisedimet me partitë e tjera, ndonëse për këtë ka pasur mjaftueshëm kohë përpara se vendi të shkonte sërish në zgjedhje.
“Në javët në vijim do të komunikojmë, do të takohemi dhe do të bisedojmë me të gjitha subjektet politike në Republikën e Kosovës, sepse ne kemi para së gjithash dhe mbi të gjitha interesin publik, vullnetin e përgjithshëm dhe Republikën sovrane e të pavarur të Kosovës, të cilës i shërbejmë me devotshmëri.” tha Kurti
Ndërsa Osmani, nga selia e LDK-së, nuk u tërhoq nga synimi i saj për t’u bërë presidentja e ardhshme e Kosovës.
“Tani VV-ja nuk ka më asnjë arsye për të refuzuar emrin tim si presidente e shtatë e Republikës së Kosovës. Kaq.” u shpreh Osmani.
Nga PDK-ja mbeten të kënaqur që arritën të ruajnë pozitat e tyre, edhe pse, sipas tyre, Kurti ka përdorur të gjithë mekanizmat shtetërorë për të blerë vota.
“Pavarësisht garës së pabarabartë, ne e rikonfirmuam pozitën tonë politike.”- tha Çitaku
Aleanca, tashmë e drejtuar nga Ardian Gjini, pritet të sigurojë 7-8 deputetë në Kuvend, duke ruajtur numrat e saj, edhe pse nuk kanë munguar surprizat.
Daut Haradinaj lajmëroi heqjen dorë nga mandati sapo u mbyllën qendrat e votimit, me argumentin se tashmë do t’ua lërë vendin deputetëve të rinj të partisë.
Përtej qëndrimeve politike, veprimi i parë që duhet të bëjnë deputetët e legjislaturës së 11-të është zgjedhja e kreut të ri të shtetit dhe krijimi i institucioneve të qëndrueshme.
Pa to, ndërkombëtarët kanë argumentuar qartë se nuk do të ketë asnjë fond nga Plani i Rritjes, asnjë hap përpara në procesin e integrimit dhe asnjë lëvizje drejt anëtarësimit të Kosovës në NATO duke e lënë vendin përsëri në krizë.
Ndërkohë ka ardhur edhe reagimi i parë nga komisionerja për zgjerim Marta Kos që tani bënë thirrje që partitë politike në Kosovë të bashkohen.
