Helmohen 60 studentë të Akademisë së Policisë. Nis hetimi, AKU merr mostra ushqimi

AKTUALITET


60 kursantë të Akademisë së Policisë në Tiranë dyshohet se janë helmuar sërish. Mbrëmjen e së mërkurës, 31 prej tyre kanë shfaqur shenja si të vjella, diarre dhe temperaturë, dhe janë dërguar menjëherë në shërbimin infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për ndihmë mjekësore. Ndërsa mëngjesin e së enjtes, edhe 29 studentë të tjerë kanë paraqitur shqetësime të njëjta dhe janë dërguar në spital.

Burime nga QSUT thanë se u kanë dhënë ndihmën e nevojshme studentëve, një pjesë e të cilëve e lanë në mesnatë spitalin, ndërsa të tjerë vazhduan nën kujdesin e bluzave të bardha, për t’u larguar paraditen e së enjtes.

Një grup i posaçëm nga Prokuroria e Tiranës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kanë nisur hetimin për këtë rast.

Dyshohet që shkak për këtë situatë të jetë bërë ushqimi, pasi shenjat janë shfaqur njëherësh te të gjithë studentët pas konsumimit të darkës.

Për të zbuluar shkakun janë marrë mostra nga ushqimi që kanë konsumuar kursantët, të cilat do t’i nënshtrohen analizave të nevojshme laboratorike.

Ndërkohë, të gjithë kursantëve u janë kryer analizat dhe pritet përgjigjja e tyre.

Kjo nuk është hera e parë që studentët e Akademisë së Policisë pësojnë helmim. Disa javë më parë, mbi 50 studentë patën të njëjtat shqetësime, ndërsa analizat treguan se shkak për helmimin ishin bakteret Esheria koli dhe stafilokok, që u gjetën në ushqimin e konsumuar prej tyre.

Akademia e Sigurisë furnizohet me ushqim catering nga kompania SORI AL. Pas rastit të helmimit në muajin maj, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit e gjobiti këtë kompani dhe i ndërpreu aktivitetin, duke i lënë detyrë garantimin e ushqimit të sigurt dhe kushteve higjieno-sanitare të përshtatshme. Por disa ditë më pas u vendos rinisja e aktivitetit të saj.

Të enjten, në një deklaratë për mediat, kompania SORI AL thotë se pas ngjarjes së rreth një muaj e gjysmë më parë ka monitoruar situatën dhe ka dokumentuar futjen e produkteve ushqimore të porositura nga jashtë sistemit të furnizimit të kontraktuar.

Gjithashtu, SORI AL pretendon se konsumimi i ushqimit zhvillohet në kushte ku mungojnë elementë bazë të kushteve higjieno-sanitare, si mundësia për larjen e duarve me ujë të ngrohtë dhe detergjent përpara konsumimit të vakteve.

Kompania përpiqet të heqë përgjegjësinë nga vetja dhe ta kalojë te studentët, duke thënë se në shumë raste ata paraqiten për konsumimin e ushqimit menjëherë pas përfundimit të stërvitjes.



Skip to toolbar