Policia e Tiranës vuri në pranga një 33-vjeçar pas sulmit të dhunshëm të një grupi nga protesta e bulevardit të shtunën, ndaj Komisariatit numër 3 në kryeqytet.
Erald Heqimaj u arrestua, ndërsa 4 të tjerë janë identifikuar dhe shpallur në kërkim. Po ashtu, 7 persona procedohen penalisht për aktet e dhunës që shkatërruan dritaret dhe mjediset e brendshme të komisariatit. Gjatë sulmit ndaj godinës nga protestues të maskuar dhe të pajisur me shkopinj e gurë, mbeti e plagosur edhe një police.
Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në aktet e dhunshme dhe për vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Sulmi ndaj Komisariatit 3 nuk ishte rastësor, por i planifikuar. Komunikimet në një grup në Telegram provojnë se disa protestues kanë komunikuar dhe planifikuar gjithçka më herët, duke pasur si synim lirimin e të arrestuarve për dhunën ndaj policisë te Kuvendi, të cilët mbaheshin të izoluar në qelitë e Komisariatit 3 në pritje për të dalë në gjykatë.
