Dy bomba kanë shpërthyen pranë një hoteli në Damask, ku kishte qëndruar gjatë natës presidenti francez Emmanuel Macron, por zyra e tij bëri të ditur se ai nuk i kishte dëgjuar shpërthimet dhe pak më vonë zhvilloi takimin e planifikuar me presidentin sirian Ahmed al-Sharaa.
Autoritetet siriane njoftuan se nga shpërthimet mbetën të plagosur 18 persona. Ngjarja errësoi vizitën e parë në Siri të një lideri të një vendi të Bashkimi Evropian që pas rrëzimit të Bashar al-Assad në vitin 2024, duke nxjerrë në pah kërcënimet e vazhdueshme të sigurisë në vend.
Shpërthimet ndodhën në një zonë të frekuentuar mes Ministrisë së Turizmit të Sirisë dhe Muzeut Kombëtar, përballë hotelit Four Seasons Hotel Damascus, ku sipas burimeve nga delegacioni francez dhe autoriteteve siriane, Macron kishte kaluar natën dhe kishte zhvilluar takime me përfaqësues të shoqërisë civile mëngjesin e së martës.
Në një postim në platformën X, Macron deklaroi se vizita e tij në Siri do të vijojë.
“Askush nuk mund ta cenojë dëshirën e sirianëve për të jetuar në një Siri plotësisht sovrane dhe të sigurt”, shkroi ai. “Këtë mëngjes takova Sirinë në të gjithë diversitetin e saj dhe pashë dinjitet, guxim dhe vendosmëri”.
Shpërthimi i parë ndodhi pak pasi kolona e automjeteve të Macronit ishte larguar drejt pallatit presidencial. Pamjet e agjencisë Reuters treguan flakë dhe re tymi në vendngjarje, ndërsa një shpërthim i dytë u regjistrua pak metra më tej.
Shpërthimi i dytë ndodhi pranë një ambulance të parkuar në zonë, ku ishin mbledhur rreth dy duzina persona. Ekipet e emergjencës ndërhynë për të shuar zjarrin, ndërsa tymi dhe flakët u afruan pranë dyqaneve aty pranë.
Pamjet e publikuara nga Reuters treguan kolonën e Macronit duke udhëtuar në autostradë drejt pallatit presidencial përpara shpërthimeve. Më pas, mediat shtetërore siriane publikuan video ku presidenti francez shihej pranë Ahmed al-Sharaa, duke zhvilluar takime me zyrtarë sirianë dhe drejtues ushtarakë.
Deri tani nuk ka pasur asnjë grup që të ketë marrë përgjegjësinë për sulmin.
Ahmed al-Sharaa, ish-komandant i lidhur me Al Kaedën, po përpiqet të stabilizojë dhe rindërtojë Sirinë pasi udhëhoqi forcat rebele që rrëzuan Assad pas më shumë se 13 vitesh luftë civile. Ai ka punuar për krijimin e marrëdhënieve më të afërta me vendet perëndimore dhe ato të Lindjes së Mesme që kundërshtuan regjimin e Assadit.
Ndërkohë, Shteti Islamik, një kundërshtar i Sharaas gjatë luftës civile, ka marrë përgjegjësinë për një seri sulmesh ndaj forcave qeveritare siriane që prej muajit shkurt, kur grupi xhihadist njoftoi nisjen e një faze të re operacionesh kundër qeverisë së tij.
