Rama: Koncerti i Kanye West marketing global që sjell turizëm dhe ekonomi

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pak orë përpara koncertit të Kanye West, duke e cilësuar ngjarjen si një investim strategjik për promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Në një postim në Facebook, Rama shkruan se stadiumi është gati për koncertin, i cili sipas tij do ta vendosë Shqipërinë në hartën globale të komunitetit të adhuruesve të muzikës, duke tërhequr mijëra vizitorë nga vende të ndryshme të botës.

Duke iu përgjigjur kritikave për koston e organizimit, të cilën disa e kanë vlerësuar rreth 4 milionë euro, kryeministri thekson se kjo shumë nuk duhet parë si shpenzim, por si investim që do të rikthehet në ekonomi përmes rritjes së turizmit, konsumit dhe të ardhurave për bizneset dhe buxhetin e shtetit.

“Një koncert i kësaj përmase nuk është thjesht një ngjarje artistike. Është marketing global për Shqipërinë, një reklamë që do të kushtonte shumë më tepër nëse do të realizohej përmes fushatave tradicionale,” shkruan Rama.

Sipas tij, kultura nuk është vetëm një vlerë artistike, por edhe një motor zhvillimi ekonomik, që ndikon drejtpërdrejt në turizëm, punësim dhe rritjen e konsumit. Ai sjell si shembull edhe koncertin e Kanye West në Stamboll, për të cilin pretendon se ka gjeneruar mbi 100 milionë euro vlerë të shtuar për ekonominë lokale.

Në fund të reagimit, Rama thekson se anulimi i një eventi të tillë do të dëmtonte imazhin e Shqipërisë, ndërsa organizimi i tij e promovon vendin si një destinacion të rëndësishëm për evente ndërkombëtare.

“Shqipëria nuk fiton duke u fshehur nga bota. Shqipëria fiton duke e sjellë botën në shtëpinë e saj,” përfundon kryeministri në postimin e tij në Facebook.



Skip to toolbar