Analisti Artur Nura deklaroi se eurodeputetët që morën pjesë në protestë në Shqipëri ishin të pranishëm në cilësi personale dhe jo si përfaqësues zyrtarë të Parlamentit Evropian.
Sipas Nurës, ata kishin vetëm mbështetjen e grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian dhe deklaratat e tyre duhen konsideruar si qëndrime individuale.
Sipas analistit, pjesëmarrja individuale në një protestë është një parim themelor i një shoqërie demokratike, por kur, sipas tij, tejkalohen kufijtë dhe cenohen parimet kushtetuese apo ndërhyhet në çështjet e brendshme të vendit, institucionet shqiptare duhet të marrin masa.
Nura shtoi se në një rast të tillë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet t’i adresojë një notë proteste ministrisë së Jashtme të vendit përkatës.
“Eurodeputetët në protestë, kanë ardhur në titull personal. Kanë patur mandatin vetëm e grupit të të gjelbërve në parlamentin europian dhe kanë folur në titull personal.
Sipas meje kanë të drejtë të vijnë si individ për të protestuar sic mund të kemi ne të drejtë të shkojmë të protestojmë për cështje të një minorance të caktuar, emigrantët shqiptar në Bruksel. Nëse eurodeputetja e majtë, ka bërë thirrje në protestë të rrëzohet Rama është gabim, duhet të reagojë shteti. Dalja në një protestë individuale për mua në një shoqëri demokratike është parim themelor, kur ti shkel të drejta kushtetuese duhet të reagojë shteti shqiptar. T’i mbajë një notë proteste minsitrisë së jashtme.”
