Kanë përfunduar në prangat e policisë 3 persona që shisnin doza kokaine dhe kanabisi në plazhet e Livadhit dhe Llamanit, si dhe në zona të tjera të Himarës.
2 prej të arrestuarve kishin marrë banesa të përkohshme në Himarë, për të kryer këtë veprimtari kriminale. “Blutë” bëjnë me dije se kanë sekuestruar sasi të këtyre lëndëve narkotike, të ndara në 91 doza, si dhe 1 peshore elektronike, 1 automjet dhe 1 celular.
“Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve, pranisë në terren dhe punës operative, të kryera në funksion të zbatimit të planit të posaçëm të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, finalizuan 2 faza të operacionit antidrogë, të koduar “Area”. Konkretisht:
-gjatë operacionit “Area 01”, u arrestuan në flagrancë shtetasit V. K., 17 vjeç, banues në Himarë dhe D. Gj., 40 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrolleve fizike ndaj tyre dhe gjatë kontrollit në banesën ku qendronte përkohësisht, 40-vjeçari, në fshatin Llaman, u sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, të ndara në 60 doza, të ciliat ishin përgatitur për t’u shitur në plazhet e Livadhit dhe Llamanit, si dhe në beach bar-et në këto zona;
-gjatë operacionit “Area 02”, u arrestua në flagrancë shtetasi R. L., 24 vjeç, pasi gjatë kontrolleve në automjetin me të cilin lëvizte dhe në banesën ku qendronte përkohësisht, në Himarë, u gjetën sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa e ndarë në 31 doza gati për shitje, si dhe 1 peshore elektronike”.
Kontrollet vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
