Blogu spanjoll: Nga Riviera te Alpet, Shqipëria destinacion për t’u vizituar gjatë gjithë vitit

AKTUALITET


Falë pozicionit të saj gjeografik, mes deteve Adriatik dhe Jon dhe rajonit të Ballkanit, Shqipëria gëzon kushte të larmishme klimatike, duke e bërë një destinacion të përshtatshëm për t’u vizituar gjatë pjesës më të madhe të vitit, shkruan Quique Cardona në blogun spanjoll të udhëtimit “Viajablog”.

Megjithatë, periudha ideale për të udhëtuar varet kryesisht, nga aktivitetet që planifikoni të zhvilloni dhe zonat që dëshironi të eksploroni.

Përvoja ndryshon ndjeshëm nëse vizitoni plazhet e Rivierës Shqiptare, eksploroni Alpet Shqiptare apo zbuloni qytetet historike, si Berati dhe Gjirokastra.

Ndërsa bregdeti arrin kulmin e sezonit gjatë verës, zonat malore ofrojnë kushte më të favorshme në pranverë dhe vjeshtë, kur temperaturat janë më të ngrohta dhe shtigjet më të përshtatshme për ecje.

Një tjetër avantazh i Shqipërisë është se, krahasuar me shumë destinacione të tjera mesdhetare, ajo mbetet ende relativisht pak e mbingarkuar nga turizmi.

Kjo u mundëson vizitorëve të shijojnë shumë prej atraksioneve të saj në qetësi, veçanërisht jashtë pikut të sezonit.

Nëse jeni ende në fazën e planifikimit të udhëtimit, është e këshillueshme të njiheni fillimisht, me atraksionet kryesore të vendit dhe itineraret më të përshtatshme, të përcaktuara sipas kohëzgjatjes së qëndrimit.

Në këtë udhëzues do të mësoni se cila është periudha më e përshtatshme për të vizituar Shqipërinë, si ndryshon përvoja mes kulmit të sezonit dhe jashtë sezonit turistik, si edhe cilët muaj konsiderohen më të favorshmit për organizimin e udhëtimit.

Dallimi mes udhëtimit gjatë verës dhe jashtë sezonit turistik

Më shumë sesa temperaturat, periudha e vitit në të cilën udhëtoni, është faktori që ndikon më së shumti në përvojën tuaj.

Vitet e fundit, Shqipëria është shndërruar në një nga destinacionet turistike më të kërkuara në Evropë, ndërsa infrastruktura turistike vijon të jetë më e kufizuar krahasuar me vende fqinje si Greqia, Italia dhe Kroacia.

Për këtë arsye, gjatë muajve korrik dhe gusht, disa prej destinacioneve më të njohura, veçanërisht në Rivierën Shqiptare, përballen me fluks të lartë vizitorësh në një hapësirë relativisht të kufizuar.

Qytete si Ksamili dhe Saranda regjistrojnë nivele të larta të kapaciteteve akomoduese, ndërsa gjetja e një hoteli cilësor me çmim të arsyeshëm bëhet më e vështirë nëse rezervimi nuk kryhet në kohë.

Situata ndryshon ndjeshëm në muajt maj, qershor dhe shtator.

Temperaturat mbeten të favorshme për të vizituar vendin, akomodimi është më i lehtë për t’u siguruar, rrugët janë më pak të ngarkuara dhe plazhet rifitojnë qetësinë, që e ka bërë Shqipërinë një destinacion të preferuar për turistët që kërkojnë një përvojë më autentike.

Pikërisht për këtë arsye, edhe pse vera mbetet periudha ideale për pushime në plazh, shumë vizitorë me përvojë e konsiderojnë fundin e pranverës dhe fillimin e vjeshtës, si periudhën më të këndshme për të eksploruar Shqipërinë.

Nëse vizitoni Shqipërinë për herë të parë, zgjedhja e periudhës së duhur mund të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e udhëtimit.

Udhëtimi gjatë majit, qershorit ose shtatorit ofron zakonisht një eksperiencë më të qetë dhe më komode, sesa vizita gjatë kulmit të sezonit veror, veçanërisht në Rivierën Shqiptare.



Skip to toolbar