Çupi: Policia- herë  si zot, herë si mallkim

Më të fundit


Nga Frrok Çupi

Këto ditë, për shembull, Policia ka marrë hijen e zotit. Policia, por edhe Ushtria, forca civile, aktivistë, patronazhistë, qytetarë të preokupuar. Të gjithë që mund të ndihmojnë njeriun.

Sepse këto ditë bota jonë nuk pushtohet nga pushteti i brutales, por nga pushteti i kënaqësive turbulluese. Jemi në stinë pushimesh, stinë deti, stinë mali, shpellash, ujëvarash, thepisje, aventurash, çmendurie…

Aty ku aventura teprohet dhe rrezikohet njeriu, aty ndjehet një dorë ‘e kafshuar’ mijëra herë më parë. Kafshuar dhe mallkuar!

Shfaqja:

Vetëm para dy ditësh, në Malin e Çikës, tre turistë gjermanë, në moshë 18 vjeç, i hyjnë rrezikut më këmbë dhe rreziku u tregua i pamëshirshëm. Mëshira rronte në duar të njerëzve të Sigurisë. Nëpër linjat mes nesh, mbi qiejt tanë, ngado ku fluturojnë sinjalet që këtu deri në Berlin, u trondit ajri se ‘a mund të shpëtohen të rinjtë’. Gjermania falënderoi forcat shqiptare të Sigurisë, veçanërisht ‘ ekipet e Shpëtimit Alpin dhe Speleologët”, citoi ambasadori në emër të qeverisë gjermane.

Një ditë më parë, alarmi i ‘rrezikut të jetës’  kishte tundur Karaburunin. Dy të rinj po kaq të rinj sa tetëmbëdhjetëvjeçarët, humbën orientimin në gadishullin e Karaburunit. Po humbnin jetën ende pa filluar.

Në bjeshkët e Veriut lëshohen përditë alarme ‘ SOS’. Në ujërat e deteve tanë kënaqësia e stinës vë në rrezik jetë njerëzish. Zjarret që tentojnë të përpijnë jetën e njeriut e të tokës; kush përleshet me ta!

Kjo është stina e Policisë dhe Ushtrisë si zot. Stina e kënaqësisë së pafre të disave, është stina e sakrificës së dikujt.

Megjithatë, vetëm pak lajme të vogla, asgjë më shumë lexojmë në media. Lajmi i mirë nuk është lajm!, thotë teoria e të pavërtetës. As kur bie minatori në Bulqizë, nuk ka lajm sa një blogere në bulevard.

A ia njohim vetes të të keqen dhe vlerën? Nganjëherë nuk e kemi mendjen, ose mendjen e dëbojmë në një vend tjetër.

Ku e dinim se kishim Shpëtim Alpin apo Speleologjik?!, bie fjala.

Kush vjen nga shpellat (!) i dimë, sipas një ironie të përhapur, por kush shpëtohet nga shpellat- kjo ishte larg dijeve. Turma vulgare përhap ankesa vetëm për fatkeqësitë, për ato që ekzistojnë dhe për të tjera që as në ëndërr nuk janë.

Ka mes nesh forca të lavdërueshme që nuk na lënë ta shpërdorojmë jetën, edhe në momentin që ikën mendja. Ky është ‘ Zoti”.

Sa rrallë na shkon mendja te forcat shpëtimtare! Veçse thuren intriga për ‘fatkeqësinë’ që nuk ekziston. Vala e mashtrimit, e desinfomimit, e gënjeshtrës, e intrigës, këto janë fuqi e vetme e njeriut të dobët. Nuk ka spedeolog që i shpëton njerëzit e dobët nga humnera e vetvetes. As Policia dhe Ushtria. Ata janë kapluar nga kënaqësia e të mashtruarit, nga kënaqësia e ‘viktimës’, nga kapja me punët e kota, nga mohimi. Dikush e ka mendjen te fitimi, dikush te pushteti, dikush te vera, dikush shijon  në ekstazë dembelizmin.

Këta jetojnë vetëm një pjesë të vogël të jetës. Sepse nuk e shikojnë të vërtetën, as vlerën. Hahen me bishtin e tyre që nga studio publike deri në bulevard.

Policia, as ushtria, as NATO, as Evropa, nuk mund të dallohen me këta sy. Ato ‘nuk ekzistojnë’.

Derisa të vijë nevoja për Speleologjinë, por atëherë ke mbetur në ‘shpellë’.



Skip to toolbar