Kriza, Opozita kallëzon Kurtin: Po merr vendime antikushtetuese, ka kapur shtetin

KOSOVA


Kapja e shtetit nga Albin Kurti duhet të ndalet. Me këtë motivacion, ish partia e Ramush Haradinaj ka dorëzuar në prokurorinë speciale në Prishtinë, kallëzim penal për qeverinë në detyrë.

Deputeti i Aleancës Besnik Tahiri thotë se ekzekutivi po merr vendime antikushtetuese.

“Qeveria në detyrë quhet qeveri në detyrë për shkak se nuk është qeveri e votuar. Ajo e ka të ndaluar me ligjin për qeveri me marrë vendime që janë të ndërlidhura me 17 vendime të cilat janë marrë në mbledhjen e qeverisë për emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë në agjenci ekzekutive, në agjencione qeveritare, mirëpo në një rast edhe për zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm” tha ai.

Ai shtoi se në kallëzim është theksuar edhe çështja e ushtrimit të funksioneve ekzekutive nga deputetët që janë betuar në Kuvend.

“Një deputet i cili betohet në Kuvend si deputet, ai apo ajo nuk mund të ushtrojë detyrë tjetër ekzekutive për shkak se kjo është e ndaluar me ligj. Nuk mundesh me shkuar paradite në seancë me u betuar si deputet, me votuar si deputet dhe pastaj pasdite me vazhduar në qeveri dhe me ushtruar detyra ekzekutive si ministër në detyrë, respektivisht kryeministër. Kjo është shkelje flagrante e ligjit.” shtoi ai 

Ndërkaq, edhe PDK ka dorëzuar kallëzim penal për anëtarët e Qeverisë në detyrë që mbajnë funksione të dyfishta, atë të anëtarit të ekzekutivit dhe të deputetit.

Edhe sot, PDK dhe Aleanca, veç Lidhjes Demokratike të Kosovës, vijon me aksionet përpara godinës së qeverisë. Thirrjet kryesore janë ato për konstituimin e kuvendit dhe ngritjen e institucioneve. Për krizën e gjatë politike në vend, Vetevendosja ka zgjedhur të hesht prej ditësh, ndërsa për një marrëveshje për presidentin nuk ka ende lëvizje publike.



Skip to toolbar