Atentati ndaj Agron Pukës, Prokuroria kërkon pushimin e akuzave për 3 të dyshuarit

AKTUALITET


Dy vite pas përplasjes me armë zjarri të ndodhur para shkollës 9-vjeçare në Rrilë të Lezhës, ku mbeti i plagosur Agron Puka, Prokuroria e Lezhës ka kërkuar pushimin e akuzave ndaj tre shtetasve, të cilët ishin proceduar dhe shpallur në kërkim për këtë ngjarje.

Kërkesa në gjykatë është bërë nga drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës, Arben Nika, pasi nga hetimet e kryera nga prokurorja e çështjes, Irena Sufja, ka rezultuar se nuk ka prova që implikojnë shtetasit V.T, K.N dhe A.K në ngjarjen e ndodhur mëngjesin e 6 marsit 2024, në fshatin Rrilë të Lezhës.

Në këto kushte, Prokuroria e Lezhës ka kërkuar pushimin e akuzave ndaj tre personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Po ashtu, është kërkuar edhe shuarja e masës së sigurimit personal, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj personave nën hetim te vendosur me vendimin nr. 690-120, datë 09.03.2024, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

Tashmë do të jetë gjykata ajo që do të vendosë për këtë çështje dhe nëse do ta pranojë kërkesën e Prokurorisë.

Agron Puka u qëllua me armë zjarri mëngjesin e 6 marsit 2024, sapo kishte lënë fëmijët në shkollë, në fshatin Rrilë të Lezhës, duke mbetur i plagosur.

Nga hetimet rezultoi se edhe Puka iu përgjigj të shtënave, duke qëlluar me armë zjarri. Pas ngjarjes, ai u arrestua nga policia në spital, ku kishte marrë ndihmë mjekësore për plagët e marra.



Skip to toolbar