Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave të Demokratëve Europianë, të cilët e akuzuan se nuk pranon kundërshtimin politik. Përmes një reagimi në ‘X,’ Rama është përgjigjur duke iu referuar incidenteve të një dite më parë pranë Kuvendit, ku deputetët u përballën me fyerje, dhunë fizike dhe hedhje vezësh e gurësh teksa përpiqeshin të hynin në Parlament.
Deklarata e plotë e Ramës:
“Pra, për llojin tuaj të veçantë të demokratëve dembelë, pengimi i deputetëve që të hyjnë në seancën hapëse të Parlamentit është ‘kundërshtim’?
Ndoshta nga rehatia e tastierës suaj duket kështu. Por jo për kolegët tuaj shqiptarë, nga e djathta në të majtë, të cilët u detyruan të kalonin përmes një korridori me fyerje verbale dhe dhunë fizike, me vezë dhe madje edhe gurë që u hodhën ndaj tyre, vetëm për të mbërritur në vendin e punës.
A nuk ju vjen turp të mbështesni një sjellje kaq të neveritshme dhe ta shisni atë si kundërshtim demokratik? Me sa duket, jo.
Meqë ra fjala, shikoni se si një deputete e nderuar, një akademike e respektuar dhe një mbrojtëse gjerësisht e njohur e të drejtave të grave, abuzohet nga modelet tuaja të ‘kundërshtimit’, ndërsa thjesht përpiqet të arrijë në vendin e saj të punës.
Dhe kjo nuk ishte as më e keqja nga ato që kolegëve tuaj shqiptarë iu desh të përballonin dje.
Keni ndonjë gjë për të thënë për këtë formë të veçantë të ‘kundërshtimit’ nga podiumi juaj i lartë demokratik? Apo shqetësimi juaj për demokracinë përfundon aty ku fillojnë faktet e pakëndshme?
Dhe ju lutem, lëreni Shqipërinë të qetë dhe mos e tërhiqni Shqipërinë në këtë. Shqipëria është një vend vërtet i lirë dhe shumë më demokratik sesa politika juaj mendjengushtë. Ajo nuk e meriton të bëhet çamçakëz në gojët mediokre të njerëzve që shkëmbejnë faktet me angazhim të lirë politik.”


