Kryeministri Edi Rama fton zyrtarisht drejtësinë në tryezë konsultimi për ligjin e ri për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
ABC News mëson se pas kthimit nga SHBA, Rama ka caktuar datën 28 shtator, ora 12 e 30 në kryeministri tryezën, me ftesën që u ka shkuar të gjitha institucioneve të drejtësisë, duke filluar me KLGJ dhe KLP, GJKKO, SPAK, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme por edhe dy Shoqatave të Gjyqtarëve.
Në ftesë e dërguar ndaj drejtësisë, Rama synon një diskutim të përbashkët nderinstitucional për një mekanizëm të qëndrueshëm mbi përcaktimin e pagave në sistemin e drejtësisë sipas standardeve europiane.
Një sistem i ri pagash, që të sigurojë pavarësinë, integritetin dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë, me rregulla të qartë dhe objective për përcaktimin dhe rishikimin periodic të pagave të gjyqtarëve e prokurorëve.
Mazhoranca socialiste me 84 vota pro, miratoi të enjten e kaluar në parlament rritjen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me një formulë që ruan hierarkinë e pagave në Republikën e Shqipërisë, dhe u përcaktua që një gjyqtar apo prokuror të mos ketë pagë më të lartë se 90% e pagës së Presidentit të Republikës që qëndron në krye të hierarkisë. Edhe rritja e pagave u bë në referencë të pagës së Kreut të Shtetit. Megjithatë, kryeministri Rama në seancën parlamentare paralajmëroi të nevojshëm një ligj të ri për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Por gjyqtarët dhe prokurorët, pasi tentuant të vetërrisin pagat e tyre, kanë paralajmëruar se nuk do të ndjekin rrugën e dialogut, por do i rikthehen aty ku e lanë, me betejë në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, Rama u ka lënë 1 javë kohë gjyqtarëve e prokurorëve të reflektojnë për ftesën deri të hënën tjetër, për tu ulur e diskutuar në tryezë në kryeministri.


