Ministri i Brendshëm Ervin Demo dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inspektuan në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës menaxhimin e fluksit të udhëtarëve dhe punën e strukturave të Policisë Kufitare.
Gjatë vizitës, Demo deklaroi se 9.2 milionë turistë kanë hyrë në Shqipëri gjatë tetë muajve të parë të vitit, ndërsa vetëm në gusht u regjistruan rreth 1.7 milionë hyrje turistike.
Sipas ministrit, rritja e numrit të vizitorëve kërkon angazhim maksimal të strukturave kufitare për të garantuar siguri dhe përpunim sa më të shpejtë të udhëtarëve. Një pjesë e procesit po mbështetet edhe te teknologjia. Demo bëri të ditur se mbi 3 milionë pasagjerë janë përpunuar përmes sistemit e-Gate, ndërsa paralajmëroi zgjerimin e mëtejshëm të përdorimit të teknologjisë në pikat kufitare.
“Ju jeni fytyra e parë që ata shohin për vendin tonë dhe marrëdhënia që ne krijojmë me këdo që fute në kufi, është ajo që duam të tregojmë për vendin ton. Ne presim rritje të numrit të turistëve, që do të thotë më shumë fluks dhe punë për forcat e policisë. Muaji gusht ka qenë i jashtëzakonshëm, 1.7 mln turistë. 9.2 mln për këtë 3-mujor. Mbi 3 milionë pasagjerë të përpunuar përmes sistemit e-Gate”, u shpreh Demo.
Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se krahas menaxhimit të fluksit të turistëve, strukturat kufitare vijojnë punën për evidentimin dhe goditjen e kriminalitetit ndërkufitar.
Sipas Hitës, autoritetet kanë identifikuar raste të krimeve ndërkufitare dhe kanë vijuar procedurat për vënien përpara përgjegjësisë të autorëve.
“Shërbimet kufitare nuk kanë lënë jashtë vëmendje edhe goditjen e kriminalitetit dhe krimeve ndërkufitare. Të gjithë autoritet kanë bërë një punë shumë të mirë në identifikimi e këtyre rasteve dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve”, theksoi ai.


