Kryeministri Edi Rama foli sot në podcastin e tij për përfitimet që mund të kenë individët e interesuar për të investuar në agroturizëm përmes “Paketës së Maleve”.
Duke marrë si shembull historinë e Entelës, e cila u kthye së bashku me familjen në Koman për të ngritur një bujtinë, Rama tha se “Paketa e Maleve” është krijuar pikërisht për të mbështetur familje të tilla që duan të investojnë dhe të zhvillojnë zona të thella të vendit.
“Bashkia ka bërë një punë shumë të mirë. Ka pasur aplikime dhe janë shpallur edhe fitues. Nëse doni të zgjeroheni, kjo është mënyra më e shpejtë”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri u ndal edhe te problematikat që lidhen me regjistrimin e pronave, duke theksuar se “Paketa e Maleve” mund të ndihmojë edhe qytetarët që përballen me probleme të tilla.
Sipas Ramës, rruga më e shpejtë është hartimi i një projekti të integruar përmes kësaj pakete, ku brenda të njëjtit proces mund të zgjidhet edhe çështja e legalizimit të banesës.
Numri një i kabinetit ka sqaruar më herët pikëpyetjet e ngritura rreth “Paketës së Maleve”, duke iu përgjigjur pretendimeve dhe paqartësive që kanë qarkulluar lidhur me këtë nismë. Rama ka theksuar se paketa nuk është krijuar për oligarkët, investitorët e huaj apo personat e pasur, por synon kryesisht zgjidhjen e problematikave të pronësisë për tokat e trashëguara në zonat malore.
Sipas sqarimit të tij, një nga kushtet kryesore është që personi të dëshmojë se e ka poseduar realisht tokën për të paktën 10 vite. Në këtë mënyrë, pronarëve u krijohet mundësia të formalizojnë pronësinë dhe ta përdorin tokën për zhvillim ekonomik.


