Peru, vritet gazetarja investigative/ 44-vjeçarja ishte kandidate në zgjedhjet rajonale

BOTA


Një gazetare 44-vjeçare është ekzekutuar me armë zjarri në Peru, teksa po vizitonte një treg në qytet

Susi Aponte, e cila ishte gjithashtu kandidate për zgjedhjet rajonale të 4 tetorit, u qëllua për vdekje ndërsa mbetën të plagosur edhe pesë persona të tjerë.

Aponte drejtonte një media online përmes së cilës publikonte materiale investigative dhe denoncime për parregullsi dhe raste të dyshuara korrupsioni, përfshirë ato brenda strukturave të policisë.

Vetëm pak ditë para vrasjes, gazetarja kishte deklaruar publikisht në rrjetet sociale se po merrte kërcënime me jetë, të cilat, sipas saj, vinin nga te burgosur.

Policia peruane ka arrestuar një të dyshuar, shtetas venezuelian, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes vijojnë.

Pas ngjarjes, Këshilli i Shtypit Peruan kërkoi një hetim të menjëhershëm dhe të plotë, duke ngritur shqetësimin për sigurinë e gazetarëve në vend.

Sipas të dhënave zyrtare të policisë, katër gazetarë u vranë në Peru gjatë vitit të kaluar, duke rikthyer në vëmendje rrezikun me të cilin përballen profesionistët e medias në vend.



Skip to toolbar