Vlora Hyseni mbetet në arrest shtëpiak/ GJKKO mban të njëjtën masë sigurie

#NËRADAR


Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, do të vijojë të qëndrojë në arrest shtëpiak. GJKKO vendosi këtë te enjte të mos ndryshojë masën e sigurisë për Hysenin, në një seancë e cila zgjati për më shumë se dy orë. Hyseni u paraqit në GJKKO e shoqëruar nga avokati i saj dhe, pas përfundimit të seancës, u largua nga ambientet e gjykatës pa dhënë një deklaratë për mediat.
Vlora Hyseni, e cila drejtoi SHISH-in prej prillit të vitit 2023, është vënë nën hetim për dy vepra penale: “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Sipas hetimeve të SPAK-ut, dyshimet lidhen me vendosjen në dispozicion të materialeve të klasifikuara dhe komunikimet e saj me biznesmenin Ergys Agasi, i cili është gjithashtu pjesë e të njëjtit hetim.

Masa e sigurisë ndaj Hysenit u caktua më 21 shtator nga GJKKO, e cila vendosi krahas arrestit në shtëpi edhe pezullimin e ushtrimit të detyrës. Në momentin kur u caktua masa, Hyseni ndodhej jashtë Shqipërisë, ndërsa më 22 shtator ajo u vetëdorëzua pranë autoriteteve shqiptare në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës.

Çështja ka sjellë edhe largimin e menjëhershëm të saj nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit. Kryeministri Edi Rama njoftoi lirimin e Hysenit nga detyra, ndërsa Presidenti Bajram Begaj dekretoi shkarkimin e saj, pas propozimit të Kryeministrit. Pas shkarkimit të saj, drejtimi i përkohshëm i SHISH-it i është deleguar Elvis Lilës, drejtorit të Departamentit Operativ, deri në përcaktimin e drejtuesit të ri të institucionit.



Skip to toolbar