Stuhia e fuqishme ‘paralizon’ verilindjen e SHBA, shpallet gjendja e jashtëzakonshme në New York e New Jersey

BOTA


Një stuhi e fuqishme ka përfshirë verilindjen e Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar përmbytje në zonat bregdetare, ndërprerje të energjisë elektrike, probleme me fluturimet dhe anulimin e disa aktiviteteve sportive e kulturore.

Stuhia, e njohur si “nor’easter”, ka sjellë reshje të dendura, erëra të forta dhe rrezik për përmbytje në zona që përfshijnë New York City dhe Boston. Autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në New York dhe New Jersey, ndërsa moti i keq është shtrirë nga Virginia deri në Maine.

Në Brooklyn, një person humbi jetën pasi u godit nga një pemë e rrëzuar nga erërat e forta, raportoi CBS News. Stuhia ka lënë pa energji elektrike më shumë se 100 mijë familje, kryesisht në verilindje të vendit. Ndërkohë, transporti ajror është prekur ndjeshëm. Më shumë se 2,400 fluturime janë vonuar, ndërsa rreth 1,200 të tjera janë anuluar, sipas të dhënave të FlightAware.

Situata në zonat bregdetare është përkeqësuar edhe nga hëna e plotë, e cila pritet të rrisë nivelin e ujit dhe rrezikun e përmbytjeve. Në disa komunitete bregdetare të New Jersey, rrugët dhe banesat janë përfshirë nga uji.

Guvernatorja e New Jersey, Mikie Sherrill, u ka bërë thirrje banorëve të tregohen të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve. Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar për përmbytje të konsiderueshme në zonat e ulëta pranë bregut, duke përfshirë rrugë të mbuluara nga uji dhe dëme të mundshme në banesa e biznese.

Në New York, autoritetet kanë paralajmëruar për erëra me shpejtësi deri në 86 km/h, të cilat mund të rrëzojnë pemë dhe linja elektrike. Kryebashkiaku Zohran Mamdani u ka kërkuar qytetarëve të shmangin udhëtimet nëse nuk janë të domosdoshme dhe të mos kalojnë në këmbë apo me makinë nëpër ujërat e përmbytjeve.

Moti i keq ka prekur edhe aktivitetet sportive dhe koncertet. Në zonën e Bostonit, ndeshja e fundit mes Boston Red Sox dhe Chicago Cubs është shtyrë për të dielën dhe do të zhvillohet në Florida. Edhe ndeshja e futbollit mes Red Bull New York dhe St. Louis City SC është anuluar.

Në New York është anuluar gjithashtu festivali Global Citizen në Central Park, ku pritej të performonin artistë si Lauryn Hill, Wyclef Jean dhe John Legend. Në Boston, koncerti i Ed Sheeran në Gillette Stadium është anuluar për arsye sigurie. Autoritetet vijojnë t’u bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë larg zonave të përmbytura dhe të ndjekin njoftimet për motin dhe udhëtimet.



Skip to toolbar