Një ngjarje e rëndë u shënua natën vonë të së premtes, në Agios Panteleimonas në Athinë, pas një sulmi të armatosur nga persona të panjohur, që rezultoi në plagosjen e një fëmije të mitur.
Konkretisht, në orën 23:50 me orën greke, katër persona në një makinë iu afruan një kafeneje, të vendosur në rrugën “Agorakritou” nr. 32, dhe hapën zjarr mbi të. Gjatë sulmit, një vajzë rreth 10 vjeç u plagos në këmbë.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë sqaruar nëse plaga erdhi direkt nga një plumb i armës së zjarrit apo nga sendet e tjera të goditura.
Nëna e fëmijës, me origjinë shqiptare, nuk priti ambulancën dhe e transportoi menjëherë vajzën e vogël në Spitalin e Fëmijëve “Aglaia Kyriakou” për kujdes mjekësor.

Në momentin e ngjarjes, në lokal ndodheshin 10 persona, të gjithë shtetas shqiptarë. Makina e atentatorëve është gjetur e djegur në zonën e Aspropirgos pak pas ngjarjes.


