Një 51-vjeçare me shtetësi gjermane është arrestuar në pikën kufitare të Kakavijës, pasi gjatë kontrollit të automjetit dhe rulotit që drejtonte u gjetën një pistoletë me municion dhe 141 gramë kanabis.
Kontrollet e imtësishme të Policisë Kufitare në Kakavijë kanë çuar në arrestimin në flagrancë të shtetases gjermane Alexandria Maria Schirmer, 51 vjeçe, e cila po drejtonte një automjet me rulot.
Sipas njoftimit të Policisë, automjeti u përzgjodh për kontroll të detajuar në skaner dhe më pas iu nënshtrua verifikimeve në vijën e dytë, në dalje të pikës kufitare.Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, zbuluan një armë zjarri pistoletë me mulli dhe municionin përkatës.
Gjithashtu, në automjet u gjetën gjashtë kavanoza dhe tri qese hermetike me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 141 gramë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme lidhur me veprat penale të dyshuara të “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Trafikimi i armëve dhe municioneve”. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit.


