Trump kritikon Norvegjinë për çmimin Nobel për Paqe: Njollë e pashlyeshme për vendin

BOTA


Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar sërish vendimin për t’ia dhënë dikujt tjetër Çmimin Nobel për Paqe, duke e cilësuar zgjedhjen e këtij viti si “të turpshme dhe të sikletshme”.

Çmimi iu dha të premten Navi Pillay, ish-gjyqtare e Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Disa orë pas shpalljes së fitueses, Trump deklaroi gjatë një tubimi politik se nuk kishte dëgjuar kurrë për këtë “person misterioz”.

“Kjo është një njollë e pashlyeshme për vendin e Norvegjisë”, tha ai, duke shtuar se “nuk do ta harrojmë”, transmeton Telegrafi. Trump e ka shprehur vazhdimisht dëshirën për ta fituar këtë çmim dhe kishte reaguar në mënyrë të ngjashme edhe në vitin 2025, kur ai iu dha lideres së opozitës venezueliane, María Corina Machado.

Vitin e kaluar, kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre, i kishte shpjeguar Trumpit se fituesin nuk e përcakton qeveria e Norvegjisë, por një komitet i pavarur me seli në këtë vend.

Gjatë tubimit në Syracuse, në shtetin e New York-ut, Trump përsëriti pretendimin se kishte përfunduar tetë luftëra dhe se ishte “pranë përfundimit ose fitores në dy të tjera”, pa paraqitur prova për këto deklarata.

“Çmimi Nobel për Paqe është diskredituar përgjithmonë nga një grusht ideologësh radikalë, që janë kundër demokracisë dhe, në të vërtetë, armiq të qytetërimit”, deklaroi presidenti amerikan.

Komiteti Nobel tha se Pillay, ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut dhe ish-gjyqtare e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, u vlerësua për përpjekjet e saj në promovimin e paqes dhe të së drejtës ndërkombëtare, të cilat kanë kontribuar në krijimin e një rendi juridik global më gjithëpërfshirës.

Kryetari i Komitetit Norvegjez të Nobelit, Jørgen Watne Frydnes, tha se puna e Pillay kishte qenë thelbësore për të siguruar që krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi të ndiqen penalisht.

Pillay, 85 vjeçe, e priti lajmin në Pallatin e Drejtësisë në Nuremberg. Fillimisht, ajo reagoi me humor, duke thënë se “duhet të jetë shaka”, përpara se të falënderonte të pranishmit që e duartrokitën.

“Nëse duartrokisni edhe pak më shumë, ndoshta mund ta ndaj këtë çmim me Trumpin”, tha ajo me shaka.

Edhe vitin e kaluar, presidenti amerikan kishte shprehur hapur pakënaqësinë për mosmarrjen e çmimit. Shtëpia e Bardhë e kishte akuzuar atëherë komitetin se po vendoste “politikën mbi paqen”.

Në janar, Machado ia dhuroi Trumpit medaljen e saj gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se gjesti ishte një vlerësim për angazhimin e tij ndaj lirisë së vendit të saj. Trump e cilësoi këtë veprim në rrjetet sociale si “një gjest të mrekullueshëm respekti të ndërsjellë”.

Megjithatë, Komiteti Nobel sqaroi më pas se çmimi nuk mund t’i transferohet një personi tjetër.

“Pasi shpallet një Çmim Nobel, ai nuk mund të revokohet, të ndahet apo t’i transferohet dikujt tjetër. Vendimi është përfundimtar dhe mbetet i tillë përgjithmonë”, thuhej në deklaratën e komitetit.



Skip to toolbar