Ras (Putin) na fton të lëmë Europën/ “Teologu” i Moskës: Shqiptarë e serbë, bashkohuni!

#NËRADAR


Në një moment kyç për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, kur vendi synon integrimin në BE, por kur në rrugët e Tiranës është shfaqur një dhunë e paprecedentë, nga Aleksandër Dugin, një prej ideologëve më të njohur ultranacionalistë rusë, i njohur ndryshe dhe si truri i Putinit, vjen një tjetër thirrje për luftë. Kësaj radhe kundër ëndrrës shekullore të shqiptarëve.

Dugin u bën thirrje shqiptarëve që të bashkohen me serbët kundër Bashkimit Evropian.

“Serbët dhe shqiptarët duhet të luftojnë së bashku kundër globalistëve të BE-së”, tha Dugin.

Një mesazh që vjen në një kohë kur Shqipëria ka përcaktuar integrimin evropian si objektiv strategjik dhe po vijon procesin e anëtarësimit në BE. Ndërsa Tirana zyrtare kërkon të afrohet me institucionet evropiane, ideologu rus fton shqiptarët të bashkohen me dhunuesit e tyre prej shekujsh: me serbët.

Deklarata e Dugin vendos përballë dy orientime të kundërta politike: rrugën evropiane që ka zgjedhur Shqipëria dhe projektin euroaziatik që promovon Moska. Ftesa e Dugin është e qartë: një kaos i ngjashëm me atë të 16 viteve më parë, që përfshiu botën arabe.

“Rënia e madhe evropiane dhe Pranvera arabe është vjeshta evropiane. Rënia e Perëndimit”, u shpreh ai.

Në një tjetër postim, ai është munduar të hedhë benzinë mbi një tjetër virtyt tonin: aspektin plurifetar të shoqërisë sonë.

Përfshirja e ideologut rus për zhvillimet në Shqipëri ka marrë vëmendjen edhe të kryeministrit Edi Rama. Pak ditë më parë, kreu i qeverisë e lidhi këtë interesim me shqetësimet për përpjekjet e mundshme të Rusisë për të ndikuar në politikën e brendshme shqiptare.

“Nuk është aspak rastësi që ‘babai’ ideologjik i Vladimir Vladimiroviçit atje në Kremlin, del dhe përshëndet kombin shqiptar”, tha kryeministri Rama.

Alexander Dugin është një ideolog ultranacionalist rus, i njohur për teorinë e tij euroaziatike dhe për qëndrimet e forta kundër Perëndimit.

Ai është përshkruar shpesh si “truri i Putinit” ose “Rasputini i Putinit”, me një ndikim të konsiderueshëm në vendimmarrjen e Presidentit rus. Por aktivizimi i tij i fortë në këto ditë të vështira për Shqipërinë tregon sesa hapësirë u ka krijuar keqdashësve të vendit dhuna e krijuar në Tiranë.



Skip to toolbar