SPAK drejt ngritjes, Meta i “dekreteve”: Të rikthejmë vendin në shinat e ligjit

AKTUALITET


Presidenti i Ilir Meta ka zhvilluar të premten një takim lamtumire me ambasadoren e Sllovenisë në Shqipëri, Lea Stançiç ku ka shfrytëzuar rastin të japë një mesazh për politikanët shqiptarë dhe veçanërisht kryeministrit Rama.

Meta bën thirrje që vendi të rikthehet urgjentisht në shinat e demokracisë dhe shtetit ligjor. Sipas tij ky është kusht për kapërcimin e krizës në vend dhe i shërben çeljes së negociatave me BE-në.

“Kjo mbështetje (e Sllovenisë) na inkurajon për të shtuar përpjekjet tona për kapërcimin e krizës së rëndë ku ndodhet vendi dhe rikthimin urgjent në shinat e demokracisë dhe shtetit ligjor, për t’i shërbyer objektivit strategjik të çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian gjatë mbledhjes së Këshillit të 17-18 tetorit”, thekson Meta.

Apeli i tij për të kthyer vendin në shinat e shtetit ligjor vjen në një moment kur Reforma në Drejtësi po ecën me ritme të shpejta. Komisioni i Vettingut çdo ditë po kryen seanca dëgjimore dhe po jep vendime për largimin nga drejtësia të prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, ndërsa SPAK është drejt ngritjes dhe funksionit të tij të plotë. Edhe ndërkombëtarët në të gjitha deklaratat e tyre e kanë vlerësuar ecurinë e Reformës në Drejtësi duke e parë atë si një moment thelbësore të funksionimit të shtetit ligjore dhe demokracisë në Shqipëri. Por presidenti nuk ndan të njëjtin qëndrim me ndërkombëtarët në lidhje me ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe këtë e ka thënë hapur publikisht disa herë. Ndaj dhe ky apel i tij i sotëm duket si një mesazh drejtuar Ramës për negociata.



Skip to toolbar