Johnson spastron qeverinë, rikthen të dorëhequrit e May

BOTA


Më shumë se një riorganizim, Kryeministri i ri i Britanisë së Madhe Boris Johnson ka bërë një spastrim të vërtetë në qeveri. Pas marrjes së detyrës, Johnson ka komunikuar emrat që do të jenë pjesë e kabinetit të ri qeveritar. Boris Johnson i ka besuar detyrat më të rëndësishme, disa prej mbështetësve më të bindur të Brexit.

Posti më delikat i takoi Sajid Javid. Ish Ministri i Brendshëm do të jetë Ministri i ri i Financave. “Kryeministri tashmë ka përcaktuar disa nga prioritetet e tij kryesore, duke përfshirë garancinë për të lënë Bashkimin Evropian më 31 tetor dhe duke shfrytëzuar mundësitë e mëdha ekonomike që na presin”, tha Javid menjëherë pas emërimit të tij.

Euro skeptiku Dominik Raab do të zërë vendin e Jeremy Hunt si ministër i Jashtëm. Raab kishte dhënë dorëheqjen vitin e kaluar nga qeveria e Theresa May, duke qenë kundër strategjisë së saj për Brexit. “Gjëja më e rëndësishme është të largohemi nga Bashkimi Europian deri në fund të tetorit, mundësisht me një marrëveshje. Ne do të mbajmë një marrëdhënie miqësore me partnerët dhe aleatët tanë evropianë, por ka ardhur koha për të finalizuar procedurat e shkëputjes”, tha Raab.

Ministrja e re e Mbrojtjes do të jetë Priti Patel, e cila dy vite më parë dha dorëheqjen nga posti në qeverisjen e Theresa May për shkak të disa takimeve që ajo pati me disa politikanë izraelitë, pa miratimin e Downing Street. “Është një post që kërkon përgjegjësi. Do të bëj gjithçka që ta mbaj të sigurt vendin tone dhe do të luftoj për shërimin e plagëve të kriminalitetit”, u shpreh ajo.

Viktimat e spastrimit të qeverisjes nga ana e Johnson janë disa figura kryesore të ish Kryeministres May, mes të cilëve Philip Hammond. Ish Ministri i Punëve të Jashtme Jeremy Hunt e ka refuzuar rolin e ri të ofruar nga Johnson dhe ka preferuar të kthehet në Parlament si deputet i thjeshtë.



Skip to toolbar