Studentja masakrohet me thikë, arrestohet i ati. Zbulohen mesazhet para vrasjes

AKTUALITET


Një studente shqiptare, e cila jetonte me familjen në Australi është gjetur e masakruar me thikë në makinën e familjes, ndërsa i akuzuar për këtë krim të rëndë është babai i saj, i cili u gjet i plagosur në krah të saj. Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën në mbrëmje, pak para mesnate, kur policia në Adelaide të Australisë Jugore gjeti të vdekur 20-vjeçaren shqiptare Sabrina Lekaj dhe të plagosur babanë e saj, Petrit Lekaj, 49 vjeç.

Babë e bijë u konstatuan nga policia në një makinë Mercedes Benz, vetëm pak metra larg shtëpisë së tyre. Babai i plagosur u dërgua në spital, ndërsa policia vendase nisi hetimet për zbardhjen e krimit të rëndë. Sipas të dhënave, Sabrina, gjatë shkollë së mesme kishte qenë një gjimnaziste me rezultate të larta dhe kishte studiuar për piano. Ndërsa në universitet ajo po studionte për imazhe mjekësore dhe kishte arritur rezultate maksimale.


Pas 48 orëve hetime për këtë krim, të martën në mbrëmje, Policia e Australisë Jugore lëshoi një deklaratë, duke thënë se babai i saj, 49-vjeçari Petrit Lekaj, ishte i dyshuari kryesor dhe pritej të akuzohej për vrasjen e vajzës së tij. Sipas policisë, të martën ishte tentuar të merrej në pyetje, por ai nuk ishte në gjendje të përgjigjej, kështu që pritet të merret në pyetje të premten. Gjatë kësaj kohe, ai po mbahet në ruajte nga policia në spitalin e Adelaide.

Një nga mikeshat e studentes shqitpare, Jana Fandi flet për mediat vendase dhe thotë se do ta mbajë mend Sabrinën si një vajzë ambicioze, shumë të mirë në mësime dhe një pianiste të shkëlqyer. Jana Fandi thotë se vdekja e Sabrinës ishte një tragjedi dhe i kishte tronditur të gjithë shokët dhe ish-shokët e shkollave të Kolegjit Nazareth. “Gjatë gjithë shkollës së mesme, ishim shumë afër dhe bëmë shumë gjëra së bashku. Ne të dyja kemi dashur muzikën dhe ajo ishte një pianiste e pabesueshme dhe ne bëmë konkurse së bashku, së bashku me nxënës të tjerë të shkollës. Ajo ishte gjithmonë aty për këdo që ishte rreth saj”.

“Ajo e donte shkencën, prandaj edhe kishte vendosur të studionte imazhet mjekësore. Ajo donte të ndihmonte njerëzit. Ajo më tregonte se donte të gjente një kurë për të gjitha sëmundjet në botës. Ishte shumë ambicioze. Ajo ishte shumë, shumë e zgjuar. Isha gjithmonë aq krenare për të, sepse talenti i saj ishte i pabesueshëm, por ajo gjithmonë do të thoshte: Jo, mund ta bëj më mirë, do ta bëj më mire”, tha Fandi.

Ngjarja e rëndë ka tronditur zonën e Adelaide, ndërsa ende nuk dihen motivet e sakta të këtij krimi, megjithëse ajo ishte ankuar natën e vrasjes te shoqëria për kontrollin që po i bënte familja. Sipas disa mesazheve të publikuara nga Daily Mail, ajo ishte ankuar te shoqëria me mesazhe se familja e kishte cilësuar ku… dhe se ndihej nën presion për të shkuar në Universitet nga prindërit e saj Petrit dhe Romina Lekaj. Lekaj u tha miqve për marrëdhënien e saj shpesh të paqëndrueshme me prindërit e saj dhe se ajo nuk donte të jetonte më nën çatinë e tyre.




Skip to toolbar